Kurti: Nuk ka mirëbesim në dialog pa dorëzimin e Radojçiqit dhe të grupit të tij në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ritheksuar sërish se nuk ka mirëbesim në dialog për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë përderisa ky shtet nuk e dorëzon Milan Radoiçiqin dhe grupin e tij paramilitar serb që e organizuan sulmin terrorist në Banjskë. Kurti, në adresimin e tij në mbledhjen e qeverisë, tha se Radoiçiqi ende po […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ritheksuar sërish se nuk ka mirëbesim në dialog për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë përderisa ky shtet nuk e dorëzon Milan Radoiçiqin dhe grupin e tij paramilitar serb që e organizuan sulmin terrorist në Banjskë.
Kurti, në adresimin e tij në mbledhjen e qeverisë, tha se Radoiçiqi ende po endet i lirë në Serbi së bashku me grupin e tij paramilitar serb, duke pasur mbështetjen e Beogradit zyrtar.
“Takimi i së mërkurës ishte i nivelit të lartë pas sulmit terrorist në Banjskë me organizimin dhe financim të shtetit të Serbisë. Pas nëntë muajve nga sulmi, kryeterroristi Radoiçiq është i lirë dhe mbrohet nga Serbia. Ne nuk mund ta ngjallim heroin tonë Afrim Bunjaku, por Serbia mund ta dorëzojë grupin paramilitar serb me kryeterroristin Radoiçiq që të përballen me drejtësinë në Kosovë. 39 nga 47 të identifikuar për sulmin ndodhen në listën e kërkimit ndërkombëtar të INTERPOL-it. Për sa kohë Radoiçiqi dhe grupi i tij enden të lirë në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim”, ka deklaruar Kurti.
Tutje, Kurti ka thënë se pa plotësimin e tri kërkesave që i ka parashtruar në takimin e së mërkurës në Bruksel nuk ka mirëbesim në dialog.
“Mirëbesimi në dialog është humbur edhe me letrën e ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq që e kishte dërguar në shërbimin e jashtëm të Bashkimit Evropian më 13 dhjetor të vitit të kaluar. Ajo letër thotë se Serbia nuk e konsideron dhe nuk do ta respektojë marrëveshjen e Brukselit. Andaj, ajo letër duhet të tërhiqet. Ajo letër dhe marrëveshja e arritur në Bruksel janë në kundërthënie me njëra-tjetrën. Marrëveshja duhet të nënshkruhet që të ketë zbatim”, ka vijuar Kurti.
Ndër të tjera, shefi i ekzekutivit ka përmendur edhe ndalimin e festivalit “Mirëdita, Dobar Dan” nga Serbia, duke thënë se me ndalimin e këtij festivali doli në pah shovinizmi i paepur i Serbisë për gjithçka që ka të bëjë me paqe e pajtim.
“Serbia e ndaloi festivalin “Mirëdita, Dobar Dan”, me këtë e tregoi shovinzimin e paepur për gjithçka që ka të bëjë me paqe e pajtim”, ka theksuar ai.















