Kurti: Nuk mund ta refuzonim planin evropian sepse do të futeshim në konfrontim me aleatët
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se e kanë pranuar propozimin evropian, pasi, në të kundërtën, Kosova do të hynte në rrugën e konfrontimit me partnerët ndërkombëtarë. Ai ka thënë se në takimin e fundit të 20 janarit në Prishtinë me Miroslav […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se e kanë pranuar propozimin evropian, pasi, në të kundërtën, Kosova do të hynte në rrugën e konfrontimit me partnerët ndërkombëtarë.
Ai ka thënë se në takimin e fundit të 20 janarit në Prishtinë me Miroslav Lajçakun e BE-së dhe emisarët e tjerë nga Amerika, Franca, Gjermania e Italia, i është bërë e qartë që nëse e refuzon planin e BE-së do të hyjë në “rrugë të konfrontimit” me aleatët.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se versioni i dytë i këtij propozimi ishte i formatit në nivelin “merre ose leje”.
“Më 20 janar 2023, emisarët ndërkombëtarë që e shoqëruan ndërmjetësuesin Lajçak, pra emisarët amerikanë, gjerman, francez dhe italian ,i dhanë disa qëndrime në këtë takim të fundit. Ata ma bënë të qartë se propozimi kryesor është pranë formatit ‘leje ose merre’. Nuk do të lejohet negocimi i tij. Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve nga vini emisarët, është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova, sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta”, ka thënë Kurti.
Kurti: Plani kryesor i BE-së nuk ka asnjë referencë të një Asociacioni
Ndër të tjera, Kurti ka thënë se pranimi i propozimit evropian përbën një avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë, si dy shtete që i njohin shtetësinë njëra-tjetrës de-facto.
Kurti ka thënë se plani kryesor nuk ka asnjë referencë të Asociacionit dhe se i referohet marrëveshjeve ekzistuese të Brukselit, teksa ka theksuar se “Asociacioni mund të konsiderohet nëse plotësohet gjashtëpikëshi që e kam paraqitur”.
“Pas vizitës së Lajcakut më datë 6 shkurt 2023, pas qartësimit të disa elementeve, unë ia konfirmova që propozimi i BE-së është bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara. Pranimi i dokumentit kryesor është pa paragjykim nga negocimi i planit të zbatimit. Mbi këtë bazë theksoj, e para pranimi i propozimit kryesor përbën një avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë si dy shtete që i njohin shtetësinë njëra -jetrës de-facto shtetësinë, pranimi plani kryesor nuk ka asnjë referencë të Asociacionit, meqenëse i referohet marrëveshjeve të Brukselit në tërësinë e tyre, Asociacioni mund të konsiderohet nëse plotësohet gjashtëpikëshi që e kam paraqitur”, ka vijuar Kurti.
Tutje, Kurti ka folur për qasjen e Qeverisë në dialog dhe ka renditur kronologjikisht qasjet e kësaj qeverie përballë propozimeve të BE-së dhe vizitave të emisarëve.
Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategjike për dialog në dy qëllime fillestare.
Një, sipas tij, është ndërprerja e praktikës së përfshirjes së çdo çështjeje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve në fushëveprimin e dialogut.
Ai ka thënë se qëndrimi i Kosovës ishte që maksimumi që mund të diskutohej në Bruksel ishin problemet e zbatueshmërisë së marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe hapja e kapitullit të procesit të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë.
“Si rezultat i qasjes sonë fillestare, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell, për herë të parë në 12 vite dialog, e bëri hapin e parë më 18 gusht, ku fokus ishte korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe çështjet aktuale”.
Kurti: Kosova s’do të pranojë një dialog që nuk ka një marrëveshje finale me njohje reciproke në qendër
Kurti ka theksuar se edhe pse ishte kërkuar konfidencialitet për planin evropian, ai kishte vendosur që ta njoftonte opozitën.
“Më 18-19 shtator erdhën emisarët, propozuan një plan për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës. Emisarët kërkuan që të respektohen dy parime procedurale, një respektimi i konfidencialitetit të propozuar nga ta, një detyrim bilateral që është ndaj emisarëve dhe të trajtohet seriozisht që mospranimi i tij do të ndikonte keq, respekt rigoroz ndaj konfidencialitetit të dokumentit të tyre”.
Derisa ka shpjeguar nenet të cilat përfshihen në planin evropian, ai ka thënë se Kosova ka paraqitur edhe kërkesat e veta.
Sipas tij, propozimi për herë të parë vendoste në fokus marrëdhëniet e jashtme të Kosovës, dhe se ka gjuhë të qartë vlerore dhe universale.
“Propozimi bazohet në marrëveshjen gjermano-gjermane. Propozimi ngërthente në vete parimin nga palët. Propozimi përcaktonte njohje nga palët dhe parimin e integritetit territorial. Propozimi përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare. Propozimi përfshinte njohjen e dokumenteve, përfshirë të pasaportave. Propozimi përmbante dy norma që lidhen me të drejtën e komunitetit serb. Dhe pika e fundit parashihte rregullën që të zbatohen marrëveshjet e arritura. Që në komentin e parë të qeverisë e kemi vlerësuar propozimin si bazë të mirë. Arsyet që na shtynë është se propozimi për herë të parë parashihte marrëdhëniet e jashtme. E dyta, parashihte reciprocitetin. Propozimi adreson pothuajse në çdo normë të saj reciprocitetin. Tre propozimi ka një gjuhë të qartë. Katër, propozimi për herë të parë parashihte njohjen de-facto të palëve. Propozimi përmbante që një marrëveshje finale me njohje dejure që do të arrihej në një të ardhme të afërt”,
Kurti ka thënë se hapi kryesor ku do të lindin pyetjet më serioze për Asociacionin do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimit.















