Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për Ligjin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të cilin Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm, ka thënë se bëhet fjalë vetëm për vonesa dhe zvarritje.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është marrë më shumë nga opozita politike sesa nga motivi i ruajtjes së kushtetutshmërisë.

“Mua më ka shqetësuar shumë sepse kam hall që reformat tona shumanshme e kanë gjetur një lloj sigurese që të zvarriten të vonohen, dhe në këtë mënyrë unë nuk jam i bindur që bëhet nga motivi i ruajtjes së kushtetutshmërisë, sa i nga një opozitarizmi politik”, ka deklaruar ai në Klan Kosova.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë, të ushtruar nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e kaluar.

Po ashtu, ai ka thënë se është i shqetësuar me dërgimin e ligjeve nga opozita në Gjykatën Kushtetuese.

Ai ka shtuar se Ligji për çmimet tavan të produkteve bazë është në pritje të shqyrtimit në këtë gjykatë. Kjo, sipas tij, po ndikon në rritjen e çmimeve të këtyre produkteve.

“Mua më vjen shumë keq që Ligji për masat e përkohshme, për kufizimin e çmimeve të produkteve bazë, është në Gjykatën Kushtetuese. LDK-ja e ka dërguar në Gjykatë këtë ligj. Dhe nëse ka diçka që aktualisht si kryeministër jam më i brengosuri në qeverisjen që e kemi, janë këto tri ligjet e mbetura në Gjykatën Kushtetuese që po zvarriten dhe për të cilët jam shumë i shqetësuar për vendimet që do të vijnë duke pasur parasysh këtë për KPK-në”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit është shprehur i shqetësuar për arsyen se nuk mund ta dijë epilogun e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por ka shtuar se me rastin e fundit për ligjin për KPK-në, të cilin Gjykata e rrëzoi, frikësohet se i njëjti fat mund të presë edhe ligje të tjera.

“Si ta di unë që do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese një ligj që e ka kaluar dy herë Komisionin e Venecias, i cili është dakorduar me SHBA-në, BE-në, Britaninë, me shoqërinë civile, dhe nuk mjafton komisioni i Venecias, por vjen e rrëzohet këtu në Gjykatën Kushtetuese”, është shprehur ai.

Gjithashtu, kryeministri Kurti të mërkurën në emisionin Debat Plus ka thënë se nuk do ta shkarkojë ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu lidhur me shkeljen e Kushtetutës me anë të Ligjit për KPK-në, por ka shtuar se ministrja Haxhiu do ta rishkruajë ligjin.