Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje partive opozitare që t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare e të mos i bllokojnë ato.

Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit të Kosovës drejtuar deputetëve opozitarë, kreu i ekzekutivit ka theksuar se marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë të dëmshme për vendin, përkundrazi, sipas tij, ato gjithsej arrijnë vlerën në 360 milionë euro e të cilat mund të shfrytëzohen për projekte zhvillimore të cilat janë të nevojshme në vend.

“Ka disa muaj që në këtë legjislaturë kuvendi, Qeveria ka sjellë për ratifikim një sërë marrëveshje ndërkombëtare, por për shkak të mosvotimit nga opozita ato nuk po kalojnë. Vlera e këtyre marrëveshjeve gjithsej që janë në pritje, tejkalon shifrën prej 360 milionë euro. Të gjitha këto po presin ratifikimin me votat e 2/3 të deputetëve apo 80 vota së paku. Marrëveshjet që po pres ratifikimin nuk janë as të dëmshme, as nuk shkaktojnë obligime që rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të Kosovës. Përkundrazi, kemi të bëjmë me mbi 360 milionë euro, që, ose janë kredi të buta me kushte koncensionale, ose janë grante e që nuk duhet të kthehen fare dhe do të investohen në projekte zhvillimore të nevojshme për vendin tonë”, tha Kurti.

Që këto marrëveshje janë në dobi të qytetarëve, Kurti thotë se pajtohet edhe opozita, por të njëjtat nuk po i votojnë.

“Cila është arsyeja të bllokohet qeveria? E vërtetë që na bëni punën më të vështirë dhe e bëni shtetin të duket joserioz para ndërkombëtarëve, por Qeveria mund ta vazhdojë mandatin deri në fund edhe pa marrëveshje ndërkombëtare. Por me këtë mosvotim nga opozita humbin qytetarët”.

Sipas tij, detyrë e opozitës është të tregojë se si mund të bëhet më mirë e jo të bllokojë punën në kurriz të qytetarëve.

“Nuk mund të thuash po e bëj opozitën e po brengosem për qytetarët, kur bllokohet ligji për çmimet tavan, kur bllokon ligjin për pagën minimale, kur bllokohen marrëveshjet ndërkombëtare. Nuk bëhet kjo punë kështu. Këtë po ua them si dikush që ka bërë opozitë për një dekadë. Marrëveshjet ndërkombëtare votoni, jo për qeverinë, por për qytetarët”, shtoi Kurti.