Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 24-vjetorin e masakrës së familjes Berisha, ka thënë se e vërteta kriminale e shtetit të Serbisë, as nuk mund të zhduket, as të harrohet duke i fshehur krimet.

“Para 24 vitesh, forcat serbe vranë dhe masakruan 50 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë.Mes tyre edhe 11 fëmijë. Pas vrasjeve, rrëmbyen edhe kufomat. Zhdukën kufomat, në përpjekje të zhdukjes të së vërtetës”, ka shkruar kryeministri Kurti.

“Por kjo e vërtetë kriminale e shtetit të Serbisë, nuk mund të zhduket e as harrohet. Kjo është e kaluara jonë e cila nuk kalon”.

“U përkulemi për forcën e pashembullt të mbijetuarve të vetëm të kësaj masakre, zonjës Shyhrete, zonjës Vjollca dhe Gramozit”, ka theksuar ai.

Ndër të tjera, Kurti ka përfunduar duke thënë se ai përkulet me nderim të përjetshëm para të gjithë atyre që u flijuan.