Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se rezultatet e testit PISA tregojnë se sistemi arsimor ka sfida të mëdha dhe ka shumë punë për t’u bërë.

Duke folur në konferencën për Rini 2023 “Fuqizo, Shërbe, Angazho”, të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ai ka shtuar se Qeveria po punon në reformimin e arsimit dhe përmirësimin e jetës së të rinjve.

“Për këtë brez të rinjve, sfida si në Kosovë edhe në botë vazhdojnë të jenë të mëdha. Rezultatet e testit PISA për vendin tonë kanë treguar tashmë për defekte strukturore e kronike në sistemin arsimor, kanë treguar se ka ende shumë për t’u bërë që ka çështje që kanë efekte negative e shoqëruese në tregun e punës dhe ekonomi”, ka deklaruar mes të tjerash Kurti.

Gjatë fjalës së tij, Kurti u ndërpre nga një aktiviste e PSD-së, por ajo u largua shpejt nga mbrojtja e tij.

Kryeministri ka theksuar sukseset e rinisë në film, art, sport, biznes dhe teknologji, duke shtuar se roli i shtetit është të përcjellë talentin dhe potencialin me mbështetjen direkte.

Kurti ka njoftuar se po punohet në reformimin e sistemit arsimor dhe përmes platformës “Super Puna” janë krijuar rreth 9 mijë vende pune për të rinjtë.

“Ne jemi duke punuar që ta reformojmë sistemin arsimor që shkollat dhe universitet tona t’i bëjmë vende ku fëmijët dhe të rinjtë së bashku me mësimdhënësit dhe prindërit punojnë, mësojnë e hulumtojnë…Qysh herët në qeverisjen tonë arsimin e lartë publik e bëmë falas. Pra, studentët do të duhet të paguajnë për banesë e jetesë, por jo edhe për studime…”, ka thënë Kurti, transmeton KP.

Kryeministri Kurti, ndër të tjera, ka deklaruar se në fillim të vitit 2021 ishin të punësuar mbi 28 mijë të rinj, ndërkaq deri në korrik të vitit 2023, numri i të punësuarve ka arritur në mbi 60 mijë.

Ai, gjithashtu, ka potencuar investimet në arsimin e lartë dhe ndarjen e bursave për vajzat në fushën e shkencave dhe të teknologjisë.

Ndërsa, presidenti i Shoqatës Evropiane të Kartës Rinore (EYCA), Miguel Perestrello, bëri thirrje për bashkimin e të rinjve të Kosovës në projektin e tyre.

Ai prezantoi Kartën Rinore si një mjet për organizimin e të rinjve nëpërmjet listës joformale të anëtarëve dhe ndihmën në zhvillimin e ekspertizave për zhvillim.