Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka shkruar për takimin e mbrëmshëm me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker.
Kurti thotë se gjatë takimit ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Republikës së Kosovës.
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke përfshirë trajnimet dhe edukimin e pjesëtarëve të Forca e Sigurisë së Kosovës, si dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit, njofton Dukagjini.
Kryeministri theksoi se në partneritet me SHBA-në, Kosova mbetet e përkushtuar për stabilitet, paqe dhe siguri në rajon dhe më gjerë teksa në këtë kontekst, ai vlerësoi se përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të përbënte një kontribut të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë afatgjatë në Ballkan.
Kurti gjithashtu nënvizoi se miqësia mes Kosovës dhe SHBA-së mbetet e fortë, e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe besim të ndërsjellë mes dy vendeve.
“Gjatë takimit me ambasadorin Whitaker, e falënderova për mbështetjen e madhe, të vazhdueshme dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës. Shpreha mirënjohjen time për bashkëpunimin e ngushtë dhe partneritetin me SHBA-në, përfshirë trajnimet dhe edukimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe rritjen e kapaciteteve tona mbrojtëse. Në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi të angazhuar për stabilitet, paqe dhe siguri në rajon dhe më gjerë. Në këtë drejtim përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të ishte një kontribut i rëndësishëm dhe një garantues afatgjatë për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Miqësia e Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është dhe mbetet e fuqishme sepse është e ndërtuar në vlera të përbashkëta dhe besim të thellë mes të dy vendeve”, ka shkruar Kurti.