Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s ka shkruar se bombardimet e NATO-s erdhën si një ndërhyrje ushtarake me karakter humanitar, që kishte për qëllim ta ndalonte gjenocidin që po e kryente shteti i Serbisë okupatore ndaj shqiptarëve vendas në Kosovë.

“19 vende të NATO-s atëbotë të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u përfshinë në këtë fushatë bombarduese mbi Jugosllavi, e cila zgjati 78 ditë. Deri te kjo erdhi pasi “Kasapi i Ballkanit” Sllobodan Millosheviqi, refuzoi çdo përpjekje diplomatike ndërkombëtare për ta ndaluar dhunën dhe përdorimin e forcës ushtarake dhe policore nga shteti i Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë, dhe çdo ofertë ndërkombëtare për marrëveshje me Kosovën pavarësisht që ato nuk parashihnin pavarësi për Kosovën.”

Sipas Kurtit 24 marsi I vitit 1999 u përjetua me entuziazëm.

“24 marsi i vitit 1999 u përjetua me entuziazëm nga ne shqiptarët në Kosovë, që shpresonim se bombat e NATO-s do ta detyronin Serbinë të kapitullonte dhe t’i ndërpriste fushatat vrastare ndaj shqiptarëve në Kosovë. Meqë NATO-n s’e zmbrapste dot e as UÇK-në s’arrinte ta eliminonte, Serbia i përshpejtoi dhe egërsoi veprimet në terren për spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët, duke e intensifikuar realizimin e fazave të planifikuara të Operacionit “Patkoi”,” shkruan Kurti.

“Për 78 ditë sa zgjatën bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavinë (e Tretë, atë të Millosheviqit, sipas kushtetutës famëkeqe të Zhablakut), shqiptarët në Kosovë ishin të ekspozuar ndaj vrasjeve dhe masakrave, përdhunimeve dhe torturave, dëbimeve dhe deportimeve, pengmarrjeve dhe burgosjeve, plaçkitjeve dhe shkatërrimeve, të kryera nga policia, ushtria dhe njësitë paraushtarake të urdhëruara dhe të koordinuara nga Beogradi zyrtar,” shtoi kryeministri.

Sipas tij, pa aleatë dhe miq nuk do të çliroheshim në atë kohë.

“Me aleatë dhe miq ecim përpara vazhdimisht. Gjatë këtyre 25 viteve, populli dhe shteti i Kosovës i kanë thelluar, zgjeruar dhe intensifikuar marrëdhëniet e mira dhe lidhjet e forta me popullin amerikan dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me popujt evropianë dhe Bashkimin Evropian. Kjo do të vijojë kështu edhe më tutje, sepse ne ndajmë të njëjtat vlera e interesa dhe sepse kemi vizione e synime të përbashkëta politike dhe gjeostrategjike.”

“Për NATO-n në Kosovë dhe për Kosovën në NATO!” përfundoi Kurti.