Kurti për aktgjykimin e Speciales: Kemi shqetësime serioze për konkludimet dhe dënimet e rënda

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë deklarimit pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka folur edhe për aktgjykimin e fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke shprehur shqetësime për disa nga konkludimet dhe dënimet e shqiptuara.

Kurti ka thënë se në aktgjykim janë tri pika që, sipas tij, duhet të theksohen ndërkombëtarisht. Ai ka përmendur pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpi të Verdhë”, rrëzimin e akuzave për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullsisë civile, si dhe qëndrimin se UÇK-ja nuk është në gjyq.

“Le të stopojmë pakëz, të doja të ndalem edhe tek aktgjykimi i fundit i Dhomave të Specializuara, të cilat qytetarët tanë po e ndjekin me shumë vëmendje. Në këtë aktgjykim janë tri pika që duhen theksuar ndërkombëtarisht: E para, pretendimet për të ashtuquajturën «Shtëpi të Verdhë» dhe për trafikimin e organeve as nuk bëjnë pjesë e aktakuzës. E dytë, akuzat për krime kundër njerëzimit dhe për sulme të gjera e sistematike kundër popullsisë civile u rrëzuan. Dhe e treta, Dhomat e Specializuara theksuan qartë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është në gjyq dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenoojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i Qeverisë ka shprehur shqetësime për konkludimet e tjera dhe dënimet e rënda, duke thënë se pret që ato të korrigjohen në procedurën e apelit.

“Në të njëjtën kohë, kemi shqetësime serioze për konkludime të tjera dhe për dënimet e rënda. Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike, dhe presim që këto të korrigjohen në apel. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme”, ka thënë ai.

Kurti ka folur edhe për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar nevojën për drejtësi për të gjitha viktimat dhe për ndëshkimin e përgjegjësve për krimet e kryera.

“Rreth 20,000 njerëz janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe shumë kryerës nuk janë ndëshkuar. Kosova kërkon drejtësi për çdo viktimë, për çdo krim dhe për çdo kryerës. Dhe ne nuk mund të lejojmë barazimin e përgjegjësisë se fajësisë për shkak se dëshiron dikush të krijojë narrativa alternative”, ka deklaruar Kurti.

Në fund, kryeministri Kurti e ka falënderuar presidenten e Komisionit Evropian për vizitën në Kosovë, duke theksuar gatishmërinë e vendit për të vazhduar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Presidente von der Leyen, ju falënderoj edhe një herë përzemërsisht që jeni këtu. Kosova e ka bërë pjesën e saj dhe ne jemi gati për hapin e radhës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka përfunduar Kurti./EO

Shija e redaktorit

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

Të fundit nga rubrika