Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si një hap të rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon nënshkrimin e Deklaratës për aleancë ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Në një reagim në Facebook, Kurti theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për mbrojtjen dhe koordinimin mes tre vendeve.

“Urime të gjithëve! Hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon, përmes mbrojtjes, bashkëpunimit dhe bashkërendimit të vendeve tona paqedashëse, me deklaratën trepalëshe për aleancë ushtarake të nënshkruar sot në Tiranë ndërmjet ministrit tonë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Pirro Vengu dhe ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Ivan Anušić”, ka shkruar Kurti.

Memorandumi i nënshkruar në Tiranë përfshin bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, operacione të përbashkëta ushtarake dhe trajnime të përbashkëta. Kjo aleancë synon të forcojë sigurinë rajonale dhe të avancojë koordinimin ushtarak mes tre vendeve.