Si jo rrallëherë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është pyetur sërish për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Në një intervistë për të përditshmen austriake “Der Standard”, gjersa ka cituar Planin e Ahtisarit, kreu i ekzekutivit ka deklaruar se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon formimin e Asociacionit mbi baza etnike.

“Kushtetuta jonë nuk lejon shoqata të bazuara në kritere etnike, sepse paragrafi i parë i planit të Ahtisaarit thotë: Kosova duhet të jetë shoqëri multietnike. Pra mund të kërkohet bashkim përgjatë maleve të Rugovës apo maleve të Sharrit, por ai nuk duhet të bazohet në identitet kombëtar. Pyes veten edhe pse marrëveshja e Ahtisaarit nuk duhet të jetë e mjaftueshme – ajo përmban shumë mbrojtje të pakicave për serbët. Kur bëhet fjalë për Asociacionin Serb të Komunave, dua t’i referohem edhe Bosnje-Hercegovinës. Më 26 prill 1991, 14 komuna me shumicë serbe atje u bashkuan dhe themeluan një shoqatë; më 9 janar 1992 shpallën pavarësinë dhe më 28 shkurt 1992 miratuan kushtetutën, më 14 shkurt 1992”, ka deklaruar Kurti.

I pyetur nëse ka frikë që e njëjta që të ndodhë edhe në Kosovë, ai ka thënë se e vetmja frikë që ka vie nga të panjohurat.

“Jo, nuk e kam frikë. Kam frikë vetëm nga gjërat e panjohura. Por kjo dihet, është një qëllim shumë i qartë”, është shprehur Kurti.

Krahas kësaj, Kurti ka thënë se ka krijuar përshtypjen që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk e dëshiron Asociacionin e të njëjtën, Kurti thotë se ja ka thënë edhe atij.

“Vuçiqit i thashë se kam krijuar përshtypjen se ai nuk e dëshiron asociacionin e komunave, sepse nuk mund të duash asociacion të komunave dhe të thuash çdo javë: Nuk do ta njoh shtetin e Kosovës. Ju nuk mund të shërbeni një makiato kafeje pa një filxhan kafeje. Por të drejtat e pakicave janë një pjesë shumë e rëndësishme e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Pra, kur të arrijmë në atë pikë, Serbia mund të bëjë një propozim se si ta zgjidhë atë. Po kështu do të mund të bëjmë propozime për çështje që i konsiderojmë të rëndësishme për pakicat në Serbi”, ka deklaruar ai.

Në mes të tjerash, Kurti është shprehur se Perëndimi nuk e trajton njësoj si presidentin e Serbisë.

“Në përgjithësi, nuk ndjej se më trajtojnë njësoj”, ka thënë Kurti teksa ka shpjeguar pse ndihet kështu. “Perëndimi ka njëfarë frike nga potenciali destabilizues i Serbisë – dhe nga ana tjetër, ekziston naiviteti të mendosh se Serbia mund të detyrohet të kthehet përsëri në Perëndim së shpejti”.