Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ndërkombëtarët për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin, kanë vendosur që ta falin, edhe pse Serbia ende nuk i ka vendosur sanksione Rusisë dhe pas një viti e gjysmë.
Ndërsa Kurti ka thënë se vetëm ndaj tij ka padrejtësi nga BE-ja dhe SHBA-ja.
“Në vend të reflektimit dhe introspeksionit të tyre, ata më godasin mua. Me masa ndëshkuese ndaj meje, dhe nga ana tjetër falje për presidentin Vuçiq. Kjo është një padrejtësi”, ka thënë kryeministri i Kosovës.
Më tej, ai ka thënë se presidenti i Serbisë ka favore nga “Brukseli dhe Uashingtoni [pasi] e lejuan Vuçiqin që të mos e nënshkruante marrëveshjen nga Brukseli dhe Ohri, pastaj që ta shkelte atë marrëveshje dhe ja ku jemi në një situatë në të cilën ekziston asimetri drastike në qasje”.
“Por thonë se këto masa do të jenë afatshkurtra, të përkohshme dhe të kthyeshme, andaj të shohim. Me faktorët ndërkombëtarë, edhe evropianët edhe amerikanët, kemi komunikim dhe koordinim të rregullt, por kemi edhe dallime të vogla, herë përsa u përket taktikave, e ndonjëherë, eventualisht, strategjive. Por përsa iu përket vlerave, interesave dhe qëllimeve nuk kemi asnjë dallim”, ka përfunduar Kurti.