Kurti për gjyqësorin: Për vete janë efikas, kurse lëndë të panumërta nuk trajtohen me kohë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në lidhje me pezullimin e vendimit të qeverisë për zvogëlimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kurti në një deklaratë për media tha se nuk i komenton vendimet e gjykatave, por që sipas tij, është e çuditshme sesi për interes të tyre gjyqësori është shumë efikas e i […]





Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në lidhje me pezullimin e vendimit të qeverisë për zvogëlimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kurti në një deklaratë për media tha se nuk i komenton vendimet e gjykatave, por që sipas tij, është e çuditshme sesi për interes të tyre gjyqësori është shumë efikas e i shpejtë, e në të njëjtën kohë, sipas tij, nuk trajtohen sa dhe si duhet një numër i madh i lëndëve.
“Ne nuk mund të merremi me vendimet, të cilat i bën gjyqësori, por më duhet të konstatoj me keqardhje që kur është puna për vete, po janë shumë efikas, për dallim prej lëndëve të panumërta që janë pluhurosur në pallatin e drejtësisë, që lëngojnë aty e që nuk trajtohen as me kohë e as si duhet. Është për të ardhur keq që shpejtësinë e efikasitetin po e dëshmojnë kur kanë interes të ngushtë”, ka deklaruar ai.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka pezulluar vendimin e Qeverisë së Kosovës për zvogëlimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sipas njoftimit, thuhet se shtyhet ekzekutimi i vendimit i datës 23 nëntor, deri në përfundimin meritor të kësaj çështjeje në konfliktin administrativ.
Vendimi është marrë pas padisë për masë të përkohshme që ka bërë Shoqata e Prokurorëve të Kosovës.




















