Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përkujtuar përsëri shkrimtarin e madh Ismail Kadare, i cili vdiq të hënën e një korrikut.

Kurti pati fjalë të mëdha për të, duke u shprehur se ai mbetet në çdo bibliotekë familjare në shtëpitë tona.

Kurti ka shtuar se Kadare pas vdekjes do të lexohet edhe më shumë, dhe që të na mungojë më pak neve që e duam, që të gjejmë më shumë veten që na duhet.

Ai ka thënë se i madhi Kadare s’na la në paqen e një shoqërie të përgjumur, por na hodhi në intrigën e tij.

“Shkrimtari ynë i madh u nda nga ne. Mbase filozofi francez, Gilles Deleuze, na thotë diçka që mund të na shërbejë për kuptimin e kësaj ndarjeje. Artisti bën një vepër artiste. Në një farë mënyre është vepra ajo që krijon përherë. Kadare nuk na la në paqen e një shoqërie të përgjumur, por na hodhi në intrigën e tij. Aty janë dhe do të jenë ende personazhet dhe situatat, gjenerali i të vdekurve dhe kako Pino, koncerti i fundit dhe pallati i dimrit të përhershëm, Broadway i zhvendosur në Tiranë dhe hija e kineastit shqiptar në Paris, Eskili i degdisur dhe faraoni i tejvarrosur, trupi i Lul Mazrekut dhe përkthyesi i katërt, valltari i vargjeve të popullit apo autoriteti i nëndheshëm i Lasgushit… Të gjithë do të jenë aty nën paradigmën e uraganit të pandërprerë të letërsisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Mes tjerash, Kurti ka theksuar se kushdo që e ka lexuar Kadarenë e di etjen e tij të pashuar për të munguarit e mëdhenj.