Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk duhet t’u referohemi deklaratave politike të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, pasi, sipas Kurtit, tani duhet t’i referohemi vetëm planit evropian dhe tekstit të marrëveshjes së Ohrit.

Sipas Kurtit, fjala urgjencë është vetëm për të zhdukurit me dhunë dhe jo për themelimin e Asociacionit.

“Lexojini tekstin marrëveshjes, deklaratat politike të kujtdo qofshin, janë për t’i shërbyer procesit. Por tash keni një marrëveshje nuk keni nevojë të vendosni asnjë deklaratë ose prononcim publik politik të askujt mbi tekstin e marrëveshjes bazë apo të aneksit të zbatimit. Fjala urgjencë është vetëm te çështja e personave të pagjetur”, ka thënë Kurti.

Më tutje, kryeministri ka thënë se së pari marrëveshja duhet të zbatohet e tëra, pasi sipas tij nuk ka mundësi që të zbatohet pjesërisht e diçka të refuzohet.

“Ashtu siç nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes as të aneksit të zbatimit, njësoj nuk mund të ketë as zbatim të njëanshme të marrëveshjes. Prandaj marrëveshjen nuk duhet ta copëtojmë duke marrë pjesët e preferuar”