“Nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet. Jetojmë në Kosovë, ku Bruto Produkti Vendor (BPV) për kokë banori në muaj është rreth 460 euro”.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës pas protestës së Njësitit Special Intervenues, duke shtuar se të ardhurat mesatare të shumicës së pjesëtarëve të kësaj njësie për këtë vit kanë kaluar shumën prej 2.200 euro në muaj, duke përfshirë pagën bazë dhe shtesat, e sipas tij, tash do t’i marrin edhe nga 150 euro me shtesën e rrezikshmërisë.

Në një postim në Facebook të mërkurën, Kurti ka deklaruar se në fund të nëntorit, përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrin 1.350 euro neto retroaktivisht.

“Secili pjesëtar i NjSI ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro. Të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj (paga bazë plus shtesat). Tash do ta kenë edhe shtesën e rrezikshmërisë prej 150 eurosh në muaj, përderisa vazhdon kjo situatë në veri të vendit, e që është niveli më i lartë i kësaj shtese. Në fund të muajit nëntor i bie që përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrë edhe shumën neto prej 1.350 euro retroaktivisht (shtesa e rrezikshmërisë shkurt-nëntor 2023)”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Po ashtu, ai ka deklaruar se 203 policë të Kosovës janë paguar më shumë sesa presidentja e Kosovës, e cila, sipas tij, merr një pagë bruto prej 1.890 eurosh, me koeficientin 18.

“E sivjet, 2.134 policë të Kosovës, apo gati 27% morën më shumë se 1.000 euro në muaj mesatarisht. Janë 203 policë të Kosovës që sivjet patën të ardhura më të larta sesa presidentja e Republikës (1.890 euro bruto, koeficienti 18), e në muajt qershor e korrik ishin afër 700 sosh (ku sigurisht bëjnë pjesë shumica absolute e pjesëtarëve të NjSI)”, ka shkruar tutje ai.

Këtë të mërkurë, pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, u mblodhën para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës, duke protestuar me kërkesën për kushte më të mira.

Bashkë me ta ishte edhe Njësia për Eksploziv dhe Deminim.

Ata i kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me shtesat që i janë ndarë nga Qeveria e Kosovës.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës njoftoi për shtesat për rrezikshmërinë në punë, të ndarë në shtatë kategori.

Ndryshe, më 27 tetor, Qeveria e Kosovës prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria ka thënë se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.