Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në një ngjarje në Korishë të Prizrenit, ka folur për ofertën që i ka bërë Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhje Demokratike të Kosovës që bashkë t’i sjellin tre emra për president.
Kurti ka thënë se të gjitha takimet që kam pasë unë me kryetarët e PDK dhe LDK janë iniciuar nga ai dhe se në asnjë takim nuk e kanë thirrur ata, njofton Dukagjini.
“Ne kemi pasë mbrëmë deri vonë një mbledhje të kryesisë së LVV, ku kemi diskutuar opsione të ndryshme dhe, me një gatishmëri të lartë për të ecur përpara, kemi bërë edhe një hap më shumë. Ndërkohë që jemi të vetmit që kemi ndërmarrë hapa deri tani. Të gjitha takimet që kam pasë unë me kryetarët e PDK dhe LDK janë iniciuar nga unë. Asnjë takim nuk e kanë thirrur ata. Sidoqoftë, kam pasë refuzime edhe për takime, edhe gjithashtu refuzime të ofertave që kemi bërë”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se as PDK dhe as LDK nuk i kanë votat e mjaftueshme për të propozuar të vetëm një kandidat, por së bashku mund të kontribuojnë në një zgjidhje të përbashkët.
Kurti, mes tjerash, u shpreh se bashkë me PDK-në e LDK-në mund t’i sigurojnë mbi 90 nënshkrime.
“E tash hapi i ri që kemi ndërmarrë, e i cili duhet të konkretizohet deri nesër mbrëma, sepse afatet janë të tilla, është që LDK dhe PDK bashkërisht, si dy parti që janë më të vjetra se LVV, le të na sjellin tre emra të personaliteteve unifikuese, të figurave që kanë reputacion të lartë për nga integriteti qytetar edhe kombëtar, por edhe natyrisht nga kontributi profesional në shoqëri. Dhe këtyre tre emrave ne mund t’ua sigurojmë mbi 90 nënshkrime. Sepse për të kandiduar një kandidat i duhen 30 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit. LVV me PDK dhe LDK bashkë e sigurojnë një gjë të tillë. Nëse ata na sjellin tre emra të personaliteteve unifikuese jashtë skenës aktuale politike, atëherë dy kandidaturat tona, zëvendëskryeministri Glauk Konjufca dhe Fatmir Kollçaku, do të tërhiqen. Pra, le të na sjellin deri nesër mbrëma tre emra të personaliteteve unifikuese jashtë skenës aktuale politike, sepse presidenti duhet të jetë shprehje e unitetit të popullit, ashtu e kërkon kushtetutshmëria jonë. Dhe me atë rast, këta të dy do të tërhiqen”, u shpreh Kurti.
“Në mesin e tyre tre kandidatëve asnjëri mos të jetë propozim i VV-së, le të jenë tri personalitete unifikuese të dy partive që janë më të vjetra se ne, dhe në këtë mënyrë ta zhbllokojmë situatën dhe të kemi stabilitet institucional, meqenëse edhe një palë zgjedhje të reja nuk sjellin zgjidhje. Edhe një palë zgjedhje të reja na humbin së paku 10 milionë euro për organizimin e tyre”, ka thënë Kurti.