Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk ndërhyn në çështjet e drejtësisë, përfshirë proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, por mbetet e angazhuar për respektimin e të drejtave themelore në këto procese.
Duke folur në foltoren e Kuvendit, Kurti tha se komunikimi institucional me partnerët ndërkombëtarë është i vazhdueshëm dhe i strukturuar, duke u zhvilluar në mënyrë të përgjegjshme, në përputhje me natyrën e ndjeshme të rasteve gjyqësore.
Kurti shtoi se institucionet e Kosovës nuk kanë hezituar të ngrisin shqetësime për vendime që i konsiderojnë të padrejta, duke përmendur rastin e moslejimit të ish-presidentit Hashim Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, si dhe përdorimin e dokumenteve zyrtare të Serbisë si prova në proceset gjyqësore.
“Komunikimi institucional me partnerët ndërkombëtarë është i vazhdueshëm dhe i strukturuar, duke u zhvilluar në mënyrë të përgjegjshme dhe në përputhje me natyrën e ndjeshme të proceseve gjyqësore.
Po ashtu, nuk kemi hezituar të ngremë zërin kundër vendimeve të padrejta ndaj krerëve të UÇK-së, siç ishin për shembull moslejimi i ish-presidentit Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, si dhe pranimi i dokumenteve zyrtare të shtetit gjenocidal të Serbisë si prova në procesin gjyqësor atje. Sa i përket pretendimeve për mungesë informacioni apo koordinimi, është e rëndësishme të potencohet se vetë arkitektura juridike e dhomave të specializuara, e themeluar në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe legjislacionit të brendshëm, garanton pavarësinë e plotë të saj nga ekzekutivi. Kjo nënkupton që qeveria nuk ndërhyn në procedura gjyqësore dhe as nuk ka qasje të drejtpërdrejtë në informacionet operative të proceseve në zhvillim.
Megjithatë, kjo nuk përjashton përgjegjësinë tonë për të ngritur çështje të karakterit parimor dhe për të kërkuar standarde të larta të transparencës dhe të respektimit të të drejtave themelore. Në këtë kuadër, në komunikimin zyrtar drejtuar zonjës Trendafilova, unë kam theksuar se nga perspektiva institucionale e Kosovës nuk shohim rreziqe që do të pengonin qëndrimin e të akuzuarve në territorin e vendit tonë gjatë zhvillimit të procedurave, duke garantuar kapacitetin e plotë të institucioneve për të siguruar mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit. Kjo paraqet një vlerësim zyrtar se kushtet e sigurisë janë të mjaftueshme dhe në përputhje me standardet përkatëse.
Për sa i përket veprimeve konkrete, qeveria mbetet e përkushtuar që në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore: së pari të ngrejë në mënyrë të vazhdueshme çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut në komunikimet me partnerët ndërkombëtarë; së dyti të mbështesë çdo iniciativë që rrit transparencën dhe standardet procedurale në këto procese; dhe së treti të sigurojë që çdo shqetësim i ngritur të trajtohet në kuadër të mekanizmave institucionalë përkatës. Ne kemi ngritur zërin dhe do të vazhdojmë të insistojmë që çdo proces të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm”, ka thënë Kurti.