Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar në lidhje me draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kurti, në një konferencë për media, tha se në vend që të propozojë Asociacion për serbët në Kosovë, duhet të njëjtin propozim t’ia bëjë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc.

“Nuk kam dyshim që kryeministri Rama beson që propozimi i tij është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë krejt çfarë propozoj që Rama, për pakicat kombëtare, t’ia propozojë presidentit të Serbisë, Vuçiq, më së largu në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur, për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc. Do duhej që këtë t’ia bënte presidentit të Serbisë, për Preshevë, Medvegjë, Bujanovc”, tha ai.

“Propozimi është që duke besuar në atë që beson se modeli i mirë dhe i duhur, në vend se t’i propozohet për serbët në Kosovë, në Paris dhe Berlin t’i propozohet për shqiptarët në Serbi”, vijoi ai.

Tutje, ai tha se Shqipëria e ka obligim kushtetues të përkujdeset për shqiptarët kudo që jetojnë ata. Ai bëri të ditur se nuk e ka parë draftin e propozuar nga Rama.

“Unë nuk e di atë draft-statut, nuk e kam lexuar, por unë i besoj kryeministrit Rama që është i mirë dhe i duhur. Jemi në kontakt të vazhdueshëm, për shkak se natyrisht e kemi nesër takimin e përbashkët në mes të dy qeverive”, ka thënë ai.