Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar vendimin e Gjykatës Speciale për shtyrjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
I pyetur nga gazetarët, Kurti ka thënë se vendi ka nevojë për gjykata normale e jo për gjykata speciale.
“Sa i përket vendimit të Speciales që të shtyhet për dy muaj nëse s’gaboj vendimi i tyre ne e morëm vesh sikurse gjithë ju për shkak se Qeveria nuk ka qasje ne dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Speciale e cila nuk karakterizohet nga transparenca për vendin tonë. Kosova ka nevojë për gjykata normale e jo për gjykata speciale”, ka thënë Kurti.
Kurti, mes tjerash, u shpreh se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjithmonë do të kujtohet dhe mësohet në histori si luftë e drejtë dhe se beson në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Lufta e UÇK-së ishte dhe gjithmonë do të kujtohet dhe mësohet në histori si luftë e drejtë e cila ishte kundër një okupatori, armiku që kishte projekt gjenocidal kundër popullit tonë… Në vend se të kemi gjykata normale kemi një gjykatë speciale e cila i vonon vendimet. Ne besojmë në drejtësinë e UÇK-së dhe pafajësinë e krerëve të UÇK-së”, ka thënë Kurti.