Kurti përkujton 106 civilët e vrarë në masakrën në Pastasel

Kryeministri Albin Kurti, ka kujtuar masakrën në Pastasel, duke rikujtuar 106 civilët e vrarë. Kurti theksoi se adresa e parë e këtyre akuzave për këto krime bashkë me kriminelët e luftës veç e veç është Beogradi zyrtar

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, ka kujtuar masakrën në Pastasel, duke rikujtuar 106 civilët e vrarë të paarmatosur.

Në tubimin përkujtimor në shënim të 25 vjetorit të kësaj masakre, Kurti ka përkujtuar krimet që kreu shteti serb.

“Çdo vit, dita e mbrame e muajit mars, na rikthen sërish në Rahovec dhe konkretisht këtu në fshatin Pastasel, për ta përkujtuar dhe denoncuar krimin që Serbia e kreu këtu më 31 mars 1999, duke vrarë 106 civilë të paarmatosur shqiptarë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Kurti e ka cilësuar stinën e pranverës si stinë të mbushur me 25 vjetor të masakrave që serbët kanë kryer mbi shqiptarët, në Kosovë.

“Këtë vit po bëhen 25 vite prej kur vendi ynë është çliruar nga Serbia. Por derisa të arrijmë te 25-vjetori i çlirimit që është në mes të qershorit, tërë stina e pranverës është e mbushur me 25-vjetor të masakrave që shteti i Serbisë i ka kryer mbi shqiptarët në Kosovë”, tha Kryeministri, duke kujtuar masakrat dhe vrasjet e civilëve shqiptarë gjithandej Kosovës nga forcat serbe të cilat kryheshin të urdhëruara dhe koordinuara nga institucionet më të larta të sigurisë dhe ato politike të shtetit të Serbisë.

Kryeministri Kurti theksoi se adresa e parë e këtyre akuzave për këto krime bashkë me kriminelët e luftës veç e veç është Beogradi zyrtar, me trashëgiminë aq të madhe të përgjegjësisë penale ndërkombëtare dhe të fajit politik të shtetit të Serbisë, që edhe sot e kësaj dite strehon dhe mbron kriminelët e luftës dhe nuk bashkëpunon me drejtësinë për të gjitha krimet dhe masakrat të cilat kanë ndodhur në Kosovë.

Ai tha se jo vetëm historia e masakrës së kryer në Pastasel më 31 mars, por edhe ajo e zhvarrosjes së trupave tre javë më vonë më 21 prill, sepse përpjekja e pushtetit të Serbisë për ta fshehur krimin e përforcon edhe më shumë lidhjen e krimit me kryerësit e krimit.

“Masakra e Pastaselit ka dëshmitarë dhe dëshmi, të cilat nuk mund të injorohen dhe të cilat duhet të kthehen në dosje provash për aktakuza për krime lufte. Ky është obligim i ne të gjallëve, për të vrarët, për drejtësinë, për ruajtjen e njerëzores dhe për historinë, sepse ajo që ka ndodhur një herë mund të ndodhë sërish, diku tjetër por mbi shqiptarë. Sepse Serbia e papenduar natyrisht që nuk ka ndryshuar qëndrim e qëllim”, shtoi ai.

Duke i përmendur dëshmitë e dëshmitarët, Kryeministri Kurti theksoi se çfarë duhet të ndodhë tash është që këto dëshmi Prokuroria në Kosovë t’i kthej në aktakuza.

“Për mirëqenien e këtyre fëmijëve, për të ardhmen e Pastaselit ne do të përkushtohemi maksimalisht, sepse e dimë që shteti që e gëzojmë dhe liria që e jetojmë i ka rrënjët e saj në gjakun e këtyre martirëve e dëshmorëve të kombit tonë, nga Pastaseli dhe nga mbarë Kosova”, tha Kryeministri në përmbyllje të fjalës.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika