Kurti përkujton masakrën e Studenicës: Ne as nuk harrojmë, as nuk falim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa ka përkujtuar 25-vjetorin e masakrës së Studenicës në Istog, është shprehur se "Ne as nuk harrojmë, as nuk falim"

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar masakrën e Studenicës në Istog, ku së bashku me Vasfije Krasniqin e kanë kujtuar 25-vjetorin e këtij akti gjenocidal që Serbia kreu në Kosovë.

Në këtë masakër u vranë shumë fëmijë, burra, gra e pleq.

“Në pranverën e vitit 1999, mijëra banorë të fshatrave të Podgurit u strehuan në fshatin Studenicë, meqë aty ishte edhe shtabi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “Adrian Krasniqi”. Më 11 dhe 12 prill 1999, banorë të Vrellës dhe të Studenicës u strehuan në lagjen e Cakutajve në fshatin Kaliqan, mes tyre edhe 50 anëtarë të familjes Lipaj që deri në mbrëmjen e 12 prillit kishin qenë të strehuar në familjen e Sali Sokol Zeqirajt në Studenicë. Mbrëmjen e 12 prillit, mijëra banorë të zonës kalonin nëpër Kaliqan dhe shumica vazhdonin bjeshkëve me borë drejt Rozhajës”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se ne as nuk harrojmë e as nuk falim.

Kurti ka rrëfyer se në mëngjesin e 13 prillit 1999, “baci Sali” që ishte 86 vjeçar, bashkë me Sale dhe Hajrije Lipajn si dhe me katër vajzat ishin kthyer në shtëpi në Studenicë për të marrë bukë, rroba dhe barna. E ku aty u bashkuan edhe Sabrije dhe Hatmane Mehaj nga fshati Tomoc.

“Me të arritur në shtëpinë e Sali Sokol Zeqirajt, vajzat nisën t’i bëjnë gati rrobat dhe barnat, kurse nënat Sale, Hajrije dhe Sabrije morën punët të gatuajnë bukë dhe t’i pjekin në zjarrë. Por tymi i oxhakut u vërejt nga trupat ushtarake serbe që ishin pozicionuar në Kodër të Banjës, në Tomoc e Pollaqer, e të cilët i njoftuan njësitet policore dhe paraushtarake që ishin pozicionuar në malet e Studenicës, nën Kodër të Madhe, në malin te livadhi i Cakutve dhe te Pishat”, ka treguar kreu i ekzekutivit.

Kurti ka treguar se në atë paradite, policë dhe paramilitarë e rrethuan shtëpinë e Sali Zeqirajt, të cilin e vranë bashkë me 9 anëtarë të familjes Lipaj dhe se pasi që i vranë, forcat serbe i kishin marrë kufomat dhe i kishin hedhur në pus, e mbi to kishin hedhur eksploziv për ta shembur pusin mbi kufoma. Në po të njëjtën ditë, në Studenicë të Istogut u vranë edhe Sylejman Ramqaj (70), Sadik Ramqaj (72), Ali Belaj (75), Sadri Kuqaj (78), Have Kuqaj (76) dhe Sofe Hysenaj (79).

“Deri sot, për këtë masakër e për këto krime nuk ka patur as proces gjyqësor, as aktakuzë dhe as të dënuar. Por ky krim sikur edhe krimet e tjera të kryera gjatë luftës, duhen hetuar duke ndjekur gjurmët e grumbulluar faktet si dhe duke marrë dëshmi nga dëshmitarët, për të ngritur aktakuza ndaj kryerësve dhe urdhërdhënësve. Republika e Kosovës me institucionet e saj, është e vendosur në adresimin para drejtësisë vendore dhe  ndërkombëtare të të gjitha krimeve të të gjitha llojeve të kryera nga shteti i Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës. Ne as nuk harrojmë, as nuk falim!”, ka shkruar ndër të tjerash Kurti.

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika