Kurti përkujton masakrën ndaj familjes Deliu
Të hënën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 24-vjetorin e masakrës së Abrisë ka kujtuar 23 anëtarët e familjes Deliu. Kreu i Qeverisë së Kosovës është shprehur se mjafton të shihen moshat kufitare të viktimave të kësaj masakre, për të kuptuar se sa çnjerëzore ishin forcat serbe. “Sot bëhen 24 vjet prej kur më 26 […]





Të hënën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 24-vjetorin e masakrës së Abrisë ka kujtuar 23 anëtarët e familjes Deliu.
Kreu i Qeverisë së Kosovës është shprehur se mjafton të shihen moshat kufitare të viktimave të kësaj masakre, për të kuptuar se sa çnjerëzore ishin forcat serbe.
“Sot bëhen 24 vjet prej kur më 26 shtator 1998, forcat serbe vranë dhe masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në fshatin Abri e Epërme të Drenasit. Mjafton të shihen moshat kufitare të viktimave të masakrës së Abrisë, nga më i moshuari Fazli Deliu 94 vjeç deri te më e vogla Diturije Deliu 6 javëshe, për të kuptuar se sa totale dhe çnjerëzore ishte kjo masakër që kryen forcat serbe mbi këta 23 civilë shqiptarë të pafajshëm”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se çdo vit më 26 shtator, në përvjetorët e masakrës së Abrisë, 23 të vrarët e kësaj masakre nuk mund të përkujtohen pa Imer Deliun, familjarin e gjallë të tyre.
“Është ai që na ka rrëfyer me shumë dinjitet atë çfarë ndodhi më 26 shtator 1998, ashtu siç ai i pa, kur i gjeti kufomat e familjarëve dhe të afërmëve të tij të masakruar nga trupat serbe. Që nga atëherë, dëshmia e Imer Deliut ka mbetur pa u marrë në shqyrtim nga drejtësia ndërkombëtare dhe ende askush nuk është akuzuar për masakrën e Abrisë”.
Sipas Kurtit, e dëshmuar edhe nga media ndërkombëtare, masakra e Abrisë është një nga krimet më të tmerrshme të gjenocidit që Serbia ka kryer mbi shqiptarët e Kosovës.
“Fotografia e Valmir Deliut djaloshit 2-vjeçar të masakruar, që atë kohë qe botuar nga disa media botërore, sot mund të censurohet nga mediat sociale, aq pamje të rëndë që përmban. Edhe e vetmja e mbijetuar e asaj dite, foshnja 6-javëshe Diturije Deliu që për orë të tëra kishte mbetur e mbytur në gjakun e nënës së saj, do të vdiste dy muaj më pas, më 19 nëntor 1998”.
Ndër të tjera, ai ka thënë se trashëgimia e luftës së Kosovës është përgjegjësi edhe e institucioneve të Kosovës.
“Lavdi martirëve të masakrës së Abrisë dhe i përmotshëm qoftë përkujtimi i të gjallëve për ta”, ka përfunduar Kurti.
Më 26 shtator 1998 u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94 vjeç.




















