Kurti: Pjesëmarrja në Athinë përbën një hap drejt avancimit të marrëdhënieve Kosovë-Greqi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbledhjen e Qeverisë e ka nisur me një fjalim teksa ka folur për takimet bilaterale që pati në Athinë. Gjatë takimeve të tij, Kurti tha se ka theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazë. “Në darkën e përbashkët që patëm unë theksova se anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbledhjen e Qeverisë e ka nisur me një fjalim teksa ka folur për takimet bilaterale që pati në Athinë.
Gjatë takimeve të tij, Kurti tha se ka theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazë.
“Në darkën e përbashkët që patëm unë theksova se anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë. Që të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE duhet të zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë dhe se për fqinjësi të mirë, demokratike e evropiane është e domosdoshme njohja reciproke, de jure e de facto si dhe të drejtat e pakicave në mënyrë simetrike e sipas konventave evropiane. Në takimet bilaterale theksova progresin ekonomik e demokratik të Kosovës dhe rëndësinë e zbatimit të plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë”, u shpreh ai.
Sipas tij, për Kosovën, pjesëmarrja në Athinë dhe takimet e nivelit të lartë përbëjnë edhe një hap drejt avancimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Greqisë.
“Në takimet bilaterale dhe darkën e përbashkët theksova se deeskalimi në katër komunat në veri është rezultat i arrestimit të elementeve të dhunshëm që sulmuan policinë tonë, ushtarët e KFOR-it dhe gazetarëve, si dhe i largimit të një pjese të ekstremistëve të dhunshëm për në Serbi”.
Kreu i ekzekutivit potencoi se duhet të parandalohet rieskalimi dhe se, sipas tij, kur nuk ka protesta të dhunshme të planifikuara nga Beogradi, nuk ka eskalim në veriun e Kosovës.















