Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian dhe krijimi i tregut të përbashkët rajonal duhet të kontribuojnë në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Përmes një postimi në rrjetin social X, kryeministri Kurti ka theksuar nevojën që fondet e Bashkimit Evropian të lidhen ngushtë me vlerat dhe standardet e BE-së.

“U mblodhëm sot në Shkup për takimin ‘Ballkani Perëndimor takon BE-në’, si pjesë e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi Planin e Rritjes së BE-së dhe SHBA-së,” ka shkruar mes tjerash kryeministri Kurti.

Gathered today in Shkup/Skopje for “Western Balkans meets EU” meeting as part of WB6 to discuss the EU Growth Plan w/ the 🇪🇺 and 🇺🇸. Emphasized that the EU Growth Plan & CRM of the Berlin Process must accelerate EU membership, and that EU funds must be tied to EU values. pic.twitter.com/kow4pCJwhq

— Albin Kurti (@albinkurti) January 21, 2024

Ndërkaq, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen të hënën për të diskutuar në lidhje me këtë çështje.

Bëhet fjalë për konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”.

Konferenca për shtyp dhe takimet mes liderëve janë paralajmëruar të mbahen nga liderët e Ballkanit.

Nikoqir i konferencës do të jetë kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri Kovaçevski ka bërë thirrje për unitet dhe stabilitet në rajon, duke theksuar se shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin e tyre në Bashkimin Evropian.

Në takim do të ketë edhe përfaqësues prej Bosnje-Hercegovinës.

Përveç tyre, Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen prej ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.