Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë, ka folur për ushtrimet ushtarake shumëkombëshe “Defender Europe 25”, duke theksuar se Kosova ka nderin të jetë një nga 18 vendet nikoqire.

Ai ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po merr pjesë me rreth 1 mijë trupa në këto ushtrime, të cilat po zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut.

“Republika e Kosovës është vend i përzgjedhur nga ushtria amerikane për vendosjen e Komandës së Divizionit të 28-të të Këmbësorisë. Institucionet tona dhe ushtria jonë po dëshmojnë se janë të afta për të mirëpritur dhe organizuar ushtrime komplekse të cilat kërkojnë planifikim,organizim dhe mbështetje të nivelit të lartë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka folur edhe për zhvillimet në veri të vendit, duke u ndalur te prania në rritje e forcave të armatosura serbe pranë kufirit me Kosovën.

Sipas Kurtit, kjo është një reagim ndaj “Defender Europe 25”, por ngriti dyshime nëse kjo lëvizje është bërë me kërkesë të Rusisë.

“Rritja e gatishmërisë dhe pranisë në kufirin tonë e forcave të armatosura të Serbisë, besojmë se është reagim ndaj “Defender Europe 25”. Por ajo çfarë nuk e dimë ende është se a po e bënë këtë vetë Serbia, apo një gjë të tillë ia ka kërkuar Rusia”, ka deklaruar ai.