Kurti pranon planin e ri, të enjten takon liderët e Gjermanisë, Francës e Italisë
Pasi në fundjavë takoi këshilltarët e tyre në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti do t’i takojë të enjten në Bruksel liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Komisionit Evropian. Planin e ri që këshilltarët ia dorëzuan të shtunën, Kurti thotë se e ka pranuar si bazë për vazhdimin e diskutimeve me aleatët. Andaj, për këtë çështje Kurti […]
Pasi në fundjavë takoi këshilltarët e tyre në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti do t’i takojë të enjten në Bruksel liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Komisionit Evropian.
Planin e ri që këshilltarët ia dorëzuan të shtunën, Kurti thotë se e ka pranuar si bazë për vazhdimin e diskutimeve me aleatët.
Andaj, për këtë çështje Kurti në margjinat e samitit të Këshillit Evropian, do të takojë Olaf Scholzin, Emmanuel Macronin, Giorgia Melonin dhe Ursula von der Leyen.
“Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Qeveria e Kosovës.
Plani, sipas Qeverisë, përmban një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.
Ky nen që e përmend Ekzekutivi flet për sigurimin e një niveli të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, ndërsa BE-ja një ditë më parë konfirmoi se ka bërë “një propozim modern evropian” për Asociacionin.
Për të ka folur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, që është edhe nënkryetar i partisë në pushtet.
Por ai siguroi se draft-statuti i propozuar për Asociacionin nuk e shkel Kushtetutën.
“Në një shikim sipërfaqësor, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë. Por edhe kjo nuk mendoj që është temë e negociatave me Serbinë. Nëse ndonjëherë ndodhë ndonjë draft i Asociacionit ai do të propozohet nga Republika e Kosovës, nëse ndodhë, nëse jo nuk do të propozohet fare”, ka thënë Konjufca.
Të enjten, Kurti dhe Vuçiqi nuk do ta takojnë njëri-tjetrin por vetëm ndaras liderët evropianë.
Kjo, sipas zëdhënësit të BE-së, ka për qëllim të ndihmojë kthimin e palëve në dialog.
“Nesër nuk do të ketë takime të nivelit të lartë të dialogut. Këto, siç thashë, janë takime individuale të presidentit dhe kryeministrit me liderë të përzgjedhur evropianë”, ka deklaruar Stano.
Agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel, Qeveria thotë se akoma nuk i janë bërë të ditura kryeministrit Kurti.















