Kurti: Presidenti duhet të jetë konsensual, duam të shmangim zgjedhjet e reja

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin e tij se partitë parlamentare shqiptare duhet të arrijnë marrëveshje për kandidatin e ardhshëm për president të Kosovës.

Kurti tha se presidenti apo presidentja e ardhshme duhet të jetë një figurë konsensuale, me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në shoqëri.

“Qëndrimi i LVV-së si fituese e zgjedhjeve është që presidenti i ardhshëm të jetë konsensual me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në popull, të jetë personalitet që ka merita dhe kontribut, vlera kombëtare qytetare, por gjithashtu edhe i dëshmuar në profesion e shoqëri”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, arritja e një marrëveshjeje për presidentin e ardhshëm është e nevojshme edhe për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve të reja.

“Për këtë dëshirojmë të merremi vesh në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet e reja”, tha ai.

Kurti nuk ka bërë të ditur ndonjë emër konkret për kandidatin e mundshëm për president, ndërsa ka theksuar nevojën që partitë parlamentare shqiptare të dakordohen për një figurë që do të kishte mbështetje të gjerë.

 

Të fundit nga rubrika