Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin e Tregtisë së Turqisë, Omer Bolat, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve.
Kurti gjatë takimit ka përmendur edhe synimin për hapjen e një linje të re ajrore mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me mbështetjen e Turqisë, si pjesë e përpjekjeve për ndërlidhje më të madhe ekonomike dhe globale.
Kurti theksoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Turqisë, duke e falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që Ankaraja i ka dhënë Prishtinës ndër vite.
Ai nënvizoi se gjatë dekadës së fundit shkëmbimet tregtare janë dyfishuar, me rritje të theksuar pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë.
Në këtë drejtim, u diskutua edhe mundësia e zgjerimit të kësaj marrëveshjeje për të përfshirë shërbimet, si ato profesionale, të teknologjisë së informacionit, transportit, logjistikës dhe shërbimeve financiare.
Kryeministri vuri në pah potencialin e madh të Kosovës për eksport të shërbimeve, ndërsa shprehu gatishmërinë për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral.
Në takim u fol edhe për organizimin e Forumit të dytë Ekonomik Kosovë–Turqi, i cili pritet të mbahet këtë vit në Prishtinë, pas forumit të parë të zhvilluar në Stamboll në vitin 2024. Po ashtu, u diskutua edhe për aktivizimin e Komitetit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar.
