Kurti pret në takim ambasadorët e QUINT-it, diskutojnë për zbatimin e marrëveshjes me Serbinë
Procesi i zbatimit të Marrëveshjes Bazike me Serbinë dhe Planin e Zbatimit të adoptuar më 18 mars në mes Kosovës dhe Serbisë, ishte tema e diskutuar në mes kreut të ekzekutivit, ambasadorëve të QUINT-it dhe përfaqësueses së Zyrës së BE-së në Kosovë. Krahas kësaj, u bë edhe një kërkesë. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin […]
Procesi i zbatimit të Marrëveshjes Bazike me Serbinë dhe Planin e Zbatimit të adoptuar më 18 mars në mes Kosovës dhe Serbisë, ishte tema e diskutuar në mes kreut të ekzekutivit, ambasadorëve të QUINT-it dhe përfaqësueses së Zyrës së BE-së në Kosovë. Krahas kësaj, u bë edhe një kërkesë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, është takuar me ambasadorët dhe zëvendësambasadorët e vendeve të QUINT-it, e njëherit edhe me përfaqësuesen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Zyra e Kryeministrit bën të ditur se pjesë e diskutimit kanë qenë edhe pritjet nga ky proces.
“Në takim u diskutua për procesin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike me Serbinë dhe Planin e Zbatimit të adoptuar më 18 mars ndërmjet të dyja shteteve. Kryeministri Kurti dhe zv. kryeministri Bislimi informuan përfaqësuesit diplomatikë mbi rezultatet e takimit të fundit në Bruksel më 4 prill dhe pritjet e tij nga ky proces në javët dhe muajt në vazhdim”, thuhet në komunikatë.
Bëhet e ditur se ata shprehën përkushtimin e tyre të plotë për zbatim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes, dhe njëherit bën edhe një kërkesë.
“Kërkuan gjithashtu që procesi i anëtarësimit të Republikës se Kosovës në Këshillin e Evropës dhe pranimi i aplikimit të Republikës së Kosovës në BE të procedohet me shpejtësi si dy veprime fillestare të partnerëve tanë, që do të duhej të derivojnë nga dakordimi rreth Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të zbatimit të saj”, thuhet në komunikatë.















