Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të premten në takim ambasadorin e ri të Republikës së Çekisë në Kosovë, Bohumil Mazanek.

Në këtë takim, shefi i ekzekutivit ka thënë se Kosova është e përkushtuar për objektivat strategjike të vendit siç janë anëtarësimi në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe marrja e statusit të vendit kandidat për avancim në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Po ashtu, kryeministri Kurti dhe ambasadori Mazanek diskutuan mbi marrëdhëniet bilaterale duke theksuar gatishmërinë për rritje të bashkëpunimit në fusha kyçe si ekonomia, shkëmbimet tregtare, siguria dhe mbrojtja, diplomacia parlamentare e kultura.

“Si një përkrahëse e madhe e rajonit, Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së gjatë vitit të kaluar ka qenë ndër më të suksesshmet. Vendet e rajonit avancuan në rrugën e tyre drejt BE-së, përfshirë Kosovën e cila arriti të ketë vendimin politik dhe konsensusin e shteteve anëtare mbi liberalizimin e vizave si dhe zyrtarisht dorëzuam dhjetorin e kaluar në Pragë aplikimin tonë për anëtarësim në BE. Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës në objektivat strategjikë të vendit siç janë anëtarësimi në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe marrja e statusit të vendit kandidat për avancim në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Tutje, Kurti e falënderoi ambasadorin Mazanek për përkrahjen e vazhdueshme të Çekisë ndaj Kosovës duke theksuar se Çekia është një mbështetëse e madhe e Kosovës dhe kjo është politikë konstante e vendit.