Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në kryeministri Joseph DioGuardi, kryetar i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Shirley Cloyes DioGuardi, drejtoreshë ekzekutive e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, anëtarë të bordit dhe anëtarë tjerë të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, në takim kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe shefi i Stafit, Luan Dalipi.

Takimi vjen pas pjesëmarrjes në ceremoninë e inaugurimit të “Murit të Nderit” nga Fondacioni Shqiptaro-Amerkan dhe Shoqata e Miqësisë Kosovë  – Izrael, që është zhvilluar gjatë ditës së mërkurë.

Duke iu uruar mirëseardhje në vendin tonë, Kurti ka thënë se është i gëzuar dhe i nderuar që së bashku përuruan në Parkun e Qytetit “Murin e Nderit”, përmes të cilit, po shënohet, nderohet dhe përkujtohet akti heroik i shpëtimit të hebrenjve.

Kryeministri Albin Kurti në takim me anëtarët e bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Në këtë takim, sipas njoftimit, kryeministri Kurti, ka nënvizuar se tashmë po bëhen 33 vjet kur përfaqësuesit amerikanë, Bob Dole, Tom Lantos, si dhe Joe DioGuardi, arritën në Prishtinë për t’i dhënë mbështetje Kosovës, luftës së saj çlirimtare dhe thirrjeve të popullit për liri, demokraci dhe republikë.

Kryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ish-kongresisti amerikan, Joe DioGuardi, është shprehur se me ”Murin e Nderit” të inauguruar sot, po ndërtohet një urë mes popullit hebre dhe popullit të Kosovës.

Ndërkaq, drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, Shirley duke dhënë mbështetjen për Kosovën, falënderoi kryeministrin dhe shtetin e Kosovës që​ e bëri të munduar që ”Muri i Nderit” të bëhet realitet.

Me të pranishmit, sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, është biseduar edhe rreth gjendjes aktuale politike, ku edhe i ka njoftuar më gjerësisht për situatën politike në vend dhe për progresin, arritjet dhe reformat gjatë qeverisjes së deritanishme, si dhe për mbështetjen e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane për Qeverinë dhe për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.