Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli.

“U tha se BSPK ka mirëpritur votimin e Ligjit për Zyrtarët Publik dhe atë për Pagat në Sektorin Publik, ndërsa u vlerësua edhe ndikimi pozitiv i Pakos për përballje me inflacionin”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë.

Tutje në njoftim thuhet se kryeministri Kurti ka falënderuar kryetarin e BSPK-së për bashkëpunimin në ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe ka theksuar  se Qeveria mirëpret vazhdimin e dialogut social edhe në vitin 2023.

Në këtë takim është vlerësuar bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet qeverisë dhe BSPK-së dhe është biseduar për bashkëpunimin e mëtejmë për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve në sektorin publik dhe privat.