Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur në takim drejtoreshën e Përgjithshme të Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), Frauke Bachler, drejtorin për Evropën Juglindore të IRZ-së, Frank Hupfeld dhe ekspertët, doktorin e Shkencave të Drejtësisë, Stefan Trunk dhe Thomas Seidel, të shoqëruar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.
“Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ) është themeluar me iniciativën e Ministrisë Federale të Drejtësisë në vitin 1992. IRZ mbështet më shumë se 20 partnerë në projekte reformatore në fushën e drejtësisë, duke dhënë këshilla juridike në përgatitjen e ligjeve, themelimin dhe zhvillimin e institucioneve, por edhe përmes promovimit e trajnimeve në shumë fusha”, njofon Zyra e Kryeministrisë.
“Ajo zbaton edhe projekte të Bashkimit Evropian. Ekspertiza e tyre kësaj radhe, me kërkesë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do të fokusohet në luftimin e pastrimit të parave, duke prodhuar kështu rezultat të drejtpërdrejtë dhe rekomandime të qarta brenda përpjekjeve për hartim dhe miratim të Strategjisë Shtetërore kundër Korrupsionit deri në fund të vitit 2023”.

Kryeministri Kurti i ka njoftuar të pranishmit me progresin ekonomik dhe demokratik, arritjet në fushën e sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit brenda dy viteve të fundit. Kurti ka përmendur avancimin e kornizës ligjore, duke përfshirë këtu miratimin e pakos së ligjeve kundër korrupsionit, si ai për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Diskutimi i sotëm u fokusua edhe në nevojën e shqyrtimit të kornizës ligjore dhe institucionale, në qëllim të luftimit të pastrimit të parave, fuqizimit të institucioneve në qëllim të ndjekjes së krimeve dhe luftimit të ekonomisë joformale”, thuhet tutje në njoftimin e Kryeminsitrisë.
Përfaqësuesit e IRZ-së kanë konfirmuar gatishmërinë e tyre për asistencë dhe bashkëpunim, teksa përgëzuan qeverinë për nismat ligjore në drejtim të luftimit të korrupsionit dhe luftën kundër pastrimit të parave.