Kurti pret në takim zëvendëspresidenten e organizatës Vital Voices

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti zëvendëspresidenten e organizatës Vital Voices, Manira Alva, për të diskutuar angazhimin e Qeverisë në fuqizimin e grave dhe vajzave drejt barazisë, duke theksuar nevojën për pjesëmarrje të tyre në reforma për drejtësi dhe zhvillim të qëndrueshëm. Alva shprehu mbështetjen e organizatës për agjendën progresive të barazisë së Qeverisë, veçanërisht në mbrojtjen nga sulmet online ndaj grave dhe vajzave

Foto nga Zyra e Kryeministrit, 15 prill 2024.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurit, të hënën ka pritur në takim zëvendëspresidenten e organizatës “Vital Voices” nga Washington D.C., Manira Alva.

Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit Kurti ka folur për vizionin e Qeverisë dhe veprimet konkrete të ndërmarra nga Qeveria për fuqizimin e vajzave dhe grave drejt barazisë.

“Duke filluar nga përfaqësimi në kabinetin qeveritar e deri te politikat e punësimit për gra, mbështetjen për gratë ndërmarrëse, bursat studimore për vajzat dhe gratë në fushat STEM, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e pjesëmarrjes në 50% të vajzave dhe grave në këto fusha të studimit, shtesat për nënat lehona dhe fëmijë, e kështu me radhë”, thuhet në njoftimin.

Mes tjerash, Kurti ka theksuar se fitorja elektorale 3 vjet më parë, në zgjedhjet shkurtit 2021, ka qenë rezultat i angazhimit dhe pjesëmarrjes së lartë të grave, rinisë dhe diasporës.

Andaj, sipas tij, edhe angazhimi politik i grave është i domosdoshëm për reforma të suksesshme, për drejtësi, paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Më tej, u përmenden edhe sfidat aktuale globale të sigurisë dhe paqes në botë, me të cilat shumë gra e fëmijë ballafaqohen.

Në këtë kontekst, është theksuar rëndësia e mekanizmave të mbështetjes për gratë, për qëndrueshmërinë e pjesëmarrjes në jetën politike dhe krijimin e rrjeteve mbështetëse dhe mbrojtëse, që gratë dhe vajzat të mos të jenë të parat që pësojnë ose largohen nga pozitat në momente të krizave dhe vështirësive.

Alva ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur agjendën progresive për barazi të Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti përmes programeve të Vital Voices në të drejtat e njeriut, mundësitë ekonomike dhe udhëheqjen e politikave publike për gratë dhe vajzat.

Ajo ka theksuar se sulmet online ndaj grave dhe vajzave kanë shënuar në rritje në tërë botën, në platformat, të cilat kryesisht janë në pronësi dhe menaxhohen nga burrat, andaj masat e Kosovës, të cilat synojnë të angazhojnë vajzat në STEM, do të kenë ndikim të drejtëpërdrejtë në përmirësimin e përmbajtjes së platformave online.

Në këtë takim e pranishme ishte edhe kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila.

Shija e redaktorit

Kamberi: Pas Malit të Zi edhe Maqedonia e Veriut po...

Analisti politik, Belgzim Kamberi, ka thënë se fitorja bindëse e VMRO-DPMNE-së, nuk është lajm i mirë për Ballkanin Perëndimor dhe as për Bashkimin Evropian...

Mbretërit kalojnë në finale të Ligës së Kampionëve

Mbretërit tashmë kanë kaluar në finale të Ligës së Kampionëve pas një fitore të zjarrtë ndaj Bayernit. Skuadra spanjolle, Real Madrid triumfoi me rezultatin 2-1,...

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Të fundit nga rubrika