Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe mandatari për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti, ka prezantuar në Kuvend prioritetet e ekzekutivit të ardhshëm, duke thënë se vizioni do të jetë “punë për qytetarin dhe mbrojtje për familjen”.
Kurti tha se gjatë pesë vjetëve e gjysmë të qeverisjes së tij, Kosova ka shënuar një rritje mesatare ekonomike prej 6 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Ai paralajmëroi edhe dyfishimin e shtesave për fëmijë, në përputhje me buxhetin.
“Nga 45 sa janë për çdo fëmijë për familjet me tre e më tepër fëmijë, në 90 euro. Me këtë rritje lëmë prapa edhe disa shtete të Bashkimit Evropian sa i përket shtesave për fëmijët”, tha Kurti gjatë ekspozesë.
Sipas tij, gjatë mandatit të kaluar është punuar për nënat, fëmijët, veriun, ushtrinë dhe bujqësinë, ndërsa këto fusha do të mbeten prioritet edhe në mandatin e ri.
Kurti deklaroi se synohet rritja e pagës mesatare në sektorin publik në 1 mijë euro në muaj.
Ai bëri të ditur gjithashtu se do të hiqet taksa doganore prej 10 për qind për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian.
Ndërkaq, sipas Kurtit, ligji për çmimet tavan do të shërbejë për mbrojtjen e qytetarëve dhe tregtarëve të ndershëm nga abuzimet me çmimet.
Në fushën e teknologjisë, Kurti tha se do të zhvillohet valuta digjitale e Kosovës, e mbështetur në teknologjinë “blockchain”, e cila do të përdoret për pagesa dhe shërbime digjitale.
Ai paralajmëroi edhe ndërtimin e Kullës së Teknologjisë Informative në Prishtinë.