Kryeministri Albin Kurti është takuar me Këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Chollet ka shkruar në Twitter se me Kurtin kanë diskutuar për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij është çelësi për të ardhmen evropiane të Kosovës.
Po ashtu, këshilltari i departamentit amerikan, e ka falënderuar kryeministrin e Kosovës, për strehimin e afganëve.
“Më vjen mirë që e pashë Kryeministrin e Kosovës Kurti dje, për të diskutuar prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë përparimin në dialogun Kosovë-Serbi, që është çelësi për të ardhmen evropiane të Kosovës. E falënderoj atë për pritjen e afganëve dhe ritheksoj përkushtimin e vendosur të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka shkruar Chollet në Twitter.
Për këtë takim ka njoftuar edhe kryeministri Albin Kurti, duke thënë se presin të bashkëpunojnë edhe më tutje me SHBA-në.
“I nderuar nga ftesa e Derek Chollet në Departamentin e Shtetit për takimin tonë të parë personal. Presim vazhdimin e bashkëpunimit dypalësh me SHBA-të për vlerat dhe prioritetet e përbashkëta”, ka shkruar Kurti.
Kurti po qëndron në SHBA së bashku me Presidenten Vjosa Osmani, ku ishin pjesë e funeralit të ish-Sekretarës së shtetit, Madeleine Albright.
Ai kishte thënë se gjatë qëndrimit në SHBA do të takohet me përfaqësues të lartë të shtetit dhe se do të jetë një vizitë e gjatë.