Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën e 15 qershorit, ka pritur në takim deputetin e Bundestagut, Volkmar Klein, me të cilin kanë biseduar mbi marrëdhëniet e mira ndërmjet të dyja shteteve dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në të ardhmen.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti me këtë rast ka njoftuar Klein mbi të arriturat gjatë një vjet qeverisjeje, në veçanti për reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit, përmirësimin e indikatorëve ekonomikë dhe demokratikë, të cilët kanë ndikuar në krijimin e kushteve më të mira për investime nga investitorët potencialë.

Deputeti Klein e ka përgëzuar Kryeministrin Kurti për qeverisje të mirë dhe ka shprehur mbështetjen dhe përkrahjen e shtetit gjerman për anëtarësimin në Këshill të Evropës dhe ndihmën për proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ndryshe, Volkmar Klein është përfaqësues i Unionit Kristian Demokrat (CDU) në Parlamentin gjerman që nga viti 2009.