Kurti: Protesta studentore e vitit 1997 theu një heshtje dhe frikë të gjatë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përkujtuar protestën e 1 tetorit 1997, një revoltim studentor kundër pushtuesit serb, duke thënë se kjo protestë theu një heshtje dhe frikë të gjatë dhe popullit nisi t’i rikthehej guximi e dinjiteti. Në një postim në Facebook, kreu i ekzekutivit ka njoftuar se gjatë ditës ka bërë homazhe […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përkujtuar protestën e 1 tetorit 1997, një revoltim studentor kundër pushtuesit serb, duke thënë se kjo protestë theu një heshtje dhe frikë të gjatë dhe popullit nisi t’i rikthehej guximi e dinjiteti.
Në një postim në Facebook, kreu i ekzekutivit ka njoftuar se gjatë ditës ka bërë homazhe te varri i profesor Ejup Statovcit, bashkë me ish-studentë e pjesëmarrës në marshimin për liri.
“Sot e 26 vite më parë, kumboi zëri i drejtësisë, si revoltë ndaj shtypjes dhe dhunës. Protesta studentore e 1 tetorit 1997, theu një heshtje dhe frikë të gjatë dhe popullit nisi t’i rikthehej guximi e dinjiteti. Profesor Statovci ishte udhëheqës e prijës bashkë me studentët dhe organizatën e tyre gjithëpërfshirëse, Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës – UPSUP. Studentët, nuk ishin vetëm. Vepra e kontributi i tij i jashtëzakonshëm na frymëzoi të gjithëve. Universiteti i Prishtinës u ringjall ndonëse nën okupim dhe u bë institucioni i cili udhëheqte me rezistencën e atëhershme”, shkroi ai.
Po ashtu, e ka përkujtuar edhe ish rektorin Zenel Kelmendi, i cili ndërroi jetë në gushtin e këtij viti.
“Ai ishte një udhëheqës i vendosur i Universitetit në vitet e para pas luftës, duke pasuar si rektor punën e profesor Statovcit dhe fuqizuar themelet e Universitetit të Prishtinës”, shtoi ai.
Sipas tij, më 1 tetor 1997, studentët shprehën vullnetin e dëshirën për liri.
“Ne, marshuam paqësisht, për lirimin e hapësirave të ndaluara të kampusit universitar, drejt rrugës për arsim e edukim të lirë, të drejta të patjetërsueshme, liri e pavarësi. Nderim e përulësi për secilin që ka kontribuar, që guxoi e nuk qëndroi duarkryq kundrejt shtypjes, padrejtësisë e okupimit serb”, tha Kurti.















