Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndarë detaje nga takimi i tij me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, të cilin e ka takuar për herë të parë në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kurti ka thënë se gjatë takimit e ka falënderuar Trumpin për ngritjen e investimeve në mbrojtje në kuadër të NATO-s, duke theksuar se edhe Kosova synon anëtarësimin në Aleancën Veri-Atlantike.
“Në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kisha nderin që të takoj për herë të parë Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald J. Trump.
E falënderova për ngritjen e valës së investimeve në mbrojtje në NATO, ku edhe Kosova duhet të anëtarësohet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special i Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.