Kurti: Qëndrojmë në solidaritet me SHBA-në në luftën për liri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar të hënën e 11 shtatorit sulmet terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ndodhën në vitin 2001

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur solidaritetin e tij ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ditën e 11 shtatorit, duke kujtuar sulmet terroriste të vitit 2001.

Ai gjersa ka përkujtuar ata që humbën jetën tragjikisht dhe qëndrueshmërinë e një kombi përballë këtyre fatkeqësive, ka thënë se Kosova qëndron së bashku me aleatët e saj në luftën për liri.

“Sot ne qëndrojmë në solidaritet solemn me aleatin dhe mikun tonë, Shtetet e Bashkuara, ndërsa nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetën tragjikisht dhe qëndrueshmërinë e një kombi përballë këtyre fatkeqësive. Kosova qëndron së bashku me aleatët e saj në luftën për liri”, ka shkruar Kurti në platformën X, e njohur si Twitter më parë.

Po ashtu, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar të hënën e 11 shtatorit sulmet terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ndodhën në vitin 2001.

Në një deklaratë të saj, presidentja Osmani shprehu respektin dhe nderimin ndaj 3 mijë viktimave të këtyre sulmeve terroriste dhe shprehu solidaritetin e Kosovës me aleatët amerikanë.

“11 shtatori i vitit 2001 ndryshoi rrjedhën e historisë përgjithmonë. Sot, krahas aleatëve tanë amerikanë, nderojmë 3 mijë viktimat e sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa riafirmojmë përpjekjet tona të çdoditëshme në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, vlera të cilat definojnë miqësinë dhe partneritetin tonë të përhershëm”, ka shkruar Presidentja Vjosa Osmani.

Sulmi i 11 shtatorit 2001 është një nga ngjarjet më të rënda dhe të njohura në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë sulm, katër avionë pasagjerësh u kapën nga terroristët.

Dy prej këtyre avionëve kishin fluturuar në Kullën Binjake të Qendrës së Tregtisë Botërore në Nju Jork, një tjetër avion u drejtua në Pentagon, qendrën kryesore të forcave ushtarake amerikane në Arlington, Virginia, ndërsa avioni i katërt humbi kontrollin dhe u rrëzua në një fshat në Pensilvani.

Dy kullat binjake të Qendrës së Tregtisë Botërore në Nju Jork u goditën nga avionët dhe u shkatërruan plotësisht. Një numër i madh i njerëzve humbën jetën në këto sulme.

Ndërsa, avioni i tretë goditi Pentagonin, duke shkaktuar shpërthime dhe shumë viktima.

Avioni i katërt që u kap nga terroristët u përball me rezistencë nga disa pasagjerë dhe u rrëzua në fshatin Shanksville, Pennsylvania.

Disa raporte sugjerojnë se qëllimi i terroristëve për këtë avion ishte të sulmonin ndonjë qëllim tjetër strategjik në Washington, por pasagjerët e kundërshtuan dhe çuan në rrëzimin e tij në një zonë të largët të fshatit.

Në mesin e viktimave që humbën jetën ishin edhe tre shqiptaro-amerikanët: Simon Dedvukaj, Mon Gjonbalaj dhe Rrok Camaj. Dedvukaj, Gjonbalaj dhe Camaj ishin disa prej shqiptarëve që punonin në Qendrën Tregtare Botërore.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika