Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria do të nisë subvencionimin e 70 për qind të pagës bruto për 6 muaj për viktimat e dhunës.

Sipas deklaratës së tij në platformën X, ky vendim vjen si një nismë për t’i fuqizuar financiarisht mbijetuesit e dhunës me bazë gjinore, duke i bërë më të fortë ndaj abuzimeve të mundshme.

Në këtë kontekst, kryeministri Kurti ka theksuar se mbijetuesit dhe viktimat e dhunës me bazë gjinore shpesh ndodhen në një gjendje izolimi financiar, e cila i bën ata të prekshëm për vazhdimin e abuzimeve.

“Të mbijetuarit dhe viktimat e dhunës me bazë gjinore shpesh janë të izoluara financiarisht, duke i bërë ato të prekshme ndaj abuzimeve të mëtejshme. Në ditën tonë të 13-të të aktivizmit kundër dhunës së tillë, Qeveria jonë njoftoi se do të subvencionojë 70% të pagës bruto për 6 muaj për të fuqizuar të mbijetuarit përmes punësimit”, ka shkruar kryeministri.

Ndryshe, ditën e së enjtes u mbajt takimi i parë zyrtar i hapur i Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Kurti ka thënë se edhe 24 vjet pas luftës, Kosova ende nuk e di dëmin ekonomik, emocional dhe psikologjik që ia ka shkaktuar lufta e fundit.

Ai ka thënë se Kosovës i janë shkaktuar dëme shkatërruese, që ende nuk janë matur.

Teksa e ka prezantuar punën e Institutit, Kurti ka thënë se ai do ta ketë linjën e vet buxhetore dhe ekspertë të fushës.

“Paqja kërko drejtësi, por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhur asnjëra dhe viktimat e luftës i meritojnë që të dyja”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Edhe drejtori i Institutit, Atdhe Hetemi, i cili premtoi ballafaqimin me të kaluarën dhe sigurimin që krimet e luftës të mos kalojnë pa u dokumentuar.