Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është propozuar zyrtarisht sërish kandidat për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kandidatura e tij është miratuar me votim unanim në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, duke i dhënë Kurtit mbështetjen e plotë për garën e ardhshme zgjedhore më 28 dhjetor.

Kurti ka theksuar se jemi para zgjedhjeve te reja pa dëshirën e tij dhe vullnetin e Lëvizjes, por “si pasoje e refuzimit nga partitë tjera” për të pasur çfarëdo bashkëpunimi me ta.

Ai ka theksuar se nuk ka një krizë ekonomike në vend, “nuk ka krizë financiare apo buxhetore, por ka një krizë legale procedruale nga bllokimet e opozitës e cila po synon qartazi që këtë ta shndërroj në krizë sociale”.

Glauk Konjufca, akuzoi partitë ish-opozitare se po përpiqen të bllokojnë institucionet me qëllim që situata të perceptohet si dobësim i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Ai kujtoi se pas zgjedhjeve të fundit, Vetëvendosja kishte kërkuar bashkëpunim qeverisës, por sipas tij, opozita e kishte refuzuar edhe këtë mundësi.

“Ata nuk e lanë LVV-në të qeverisë me partner, vetë nuk deshën ta formojnë qeverinë, dhe sot qytetarët me të drejtë pyesin, çka duan realisht?”, tha Konjufca, duke shtuar se, sipas tij, opozita synon të krijojë bllokadë totale për ta paraqitur si krizë të shkaktuar nga LVV.

Konjufca e quajti këtë “agjendë të rrezikshme e antishtetërore”, duke thënë se disa parti janë “në gjendje të shkojnë deri në humnerë vetëm që Kurti të duket keq”.

Ai theksoi se, sipas tij, kjo qasje nuk i sjell dobi vendit dhe se qytetarët e kanë të qartë se kush po e pengon funksionimin e institucioneve.