Kurti rrëfen për torturat në burgjet serbe: S’kishte gjasa të imagjinoja se do të dilja gjallë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një bisedë me tema të ndryshme për podcastin “Rest is Politics”, ka folur për torturat që kishte përjetuar në burgjet serbe. Ai ka treguar se si nuk e besonte se do të dilte gjallë nga burgu, teksa shtoi se kishte humbur vetëdijen 40 herë. “E humba vetëdijen afro 40 herë […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një bisedë me tema të ndryshme për podcastin “Rest is Politics”, ka folur për torturat që kishte përjetuar në burgjet serbe.
Ai ka treguar se si nuk e besonte se do të dilte gjallë nga burgu, teksa shtoi se kishte humbur vetëdijen 40 herë.
“E humba vetëdijen afro 40 herë gjatë torturave, pra nuk kishte as gjasa të imagjinoja se do të dilja gjallë. Atje po na rrihnin të gjithë të burgosurve shqiptarë, nuk isha vetëm unë. Kishte mijëra shqiptarë. Për të mbijetuar nga torturat duhet të kesh edhe fat. Pashë njerëz që vdiqën pas 5 minutave të rrahjeve e torturave, e pashë njerëz, këtu përfshihem edhe unë, që u rrahëm shumë e dolëm gjallë. Nuk ishte në dorën tonë”, ka thënë Kurti.
Gjatë asaj periudhe, kreu i ekzekutivit theksoi se kishte planifikuar të mësonte gjuhë të huaja, derisa shtoi se në burg kishte bërë plane për më gjatë.
“Planifikova të mësoja gjuhë të huaja në burg. Në Pozharec gjeta libër në gjuhën italiane. Mendova të mësoja italishten në burg, pasi ishte libri i vetëm aty. Më vonë filluan të më sillnin libra të tjerë, kryesisht autorë rusë, pasi donin të më poshtëronin. I lexova të gjithë, Dostojevskin e Pushkinin në burg, në gjuhë serbo-kroate”, tha Kurti.
Po ashtu, Kurti tregoi për formimin e organizatës pas daljes në liri.
“Në burg ke hapësirë shumë të vogël e ke shumë kohë, është vend për të lexuar vërtet dhe pa shpërqendrim. Në burg atje po qëndroja me njerëz që vinin nga fshatrat, ishte shumë me rëndësi për aftësinë time që të organizojë njerëzit kur të dilja. Kur dola arrita të krijoja organizatën, pasi dija si të flisja e të lidhesha me njerëzit që vinin nga fshatrat”.















