Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Tryezën e Rrumbullakët të organizuar nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Redzepi, me rastin e Ditës Kombëtare të Turqve në Kosovë.

Duke falënderuar zëvendëskryeministren Redzepi për organizimin, kryeministri Kurti ka shprehur falënderimet e mirënjohjen ndaj qytetarëve turq për kontributin e vazhdueshëm dhënë për Republikën e Kosovës.

Në adresimin e tij, siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, ai ka përmendur që muajin e kaluar në shkollën “Elena Gjika” është festuar 72-vjetori i mësimit në gjuhën turke, duke thënë se janë të lumtur për këtë traditë të gjatë të shumëgjuhësisë në vendin tonë dhe për mundësinë, që fëmijët në Kosovë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare.

“Strategjia jonë e arsimit për vitet 2022-2026 përfshin subvencionet e vazhdueshme për hartimin, rishikimin, përkthimin dhe përshtatjen e teksteve e materialeve e mësimore në gjuhën turke. Po ashtu, planifikojmë të organizojmë aktivitete për mësimin e gjuhës shqipe për komunitetet që kanë gjuhë të tjera, si turqishten për shembull gjuhë amtare”, ka thënë Kurti.

Tryeza e Rrumbullakët e organizuar nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Redzepi, me rastin e Ditës Kombëtare të Turqve në Kosovë.

Kryeministri Kurti ka thënë se komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur shoqëror dhe kulturor.

Ai ka shtuar që Kosova të jetë një shtet, ku promovohet shumëgjuhësia, “do t’ju ofrojmë mundësi studentëve që të mësojnë gjuhën e mjedisit, siç është turqishtja për shqiptarët në komunat multietnike dhe kësisoj edhe si individë dhe si shtet, do të përfitojmë avantazhe në tregun ndërkombëtar”.

Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se me pakon shtesë prej 3 milionë eurosh për komunitetet joshumicë në Kosovë, që pritet të miratohet së shpejti, do të ketë masa mbështetëse për vende të reja pune për bizneset ekzistuese dhe ato të reja, për fermerët dhe prodhuesit e vegjël në zonat rurale dhe për shoqërinë civile, që kontribuon në integrimin dhe afirmimin e komuniteteve joshumicë.

Ai ka thënë se shpreson për një bashkëbisedim të dobishëm e kontribuues ndaj përmirësimit të jetës e mirëqenies së secilit qytetar, pavarësisht dallimeve të cilat i kemi.

“E përbashkëta jonë është vendi ynë, andaj do të jemi bashkë në secilin hap për progresin e gjithëmbarshëm” është shprehur kryeministri.

Në këtë tryezë, të pranishëm ishin, ministri i Zhvillimit Rajonal, z.Fikrim Damka, njëherësh kryetar i KDTP-së, zëvendësambasadorja e Turqisë në Kosovë, Şeyda Aydın, përfaqësues të partive politike, të shoqërisë civile e të mediave nga komuniteti turk, përfaqësues të komunitetit turk në Këshillin Konsultativ për Komunitete, si dhe nëpunës të këtij komuniteti në institucionet e Republikës së Kosovës.