Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas përurimit të shtatores së ish-liderit të lëvizjes çetnike, Dragolub (Drazha) Mihaillovic, në Beograd.

Kurti, në deklaratën e tij në rrjetin social Facebook, ka theksuar se përurimi i Drazha Mihaillovic në Beograd, është një fakt se Serbia e sotme nuk ka hequr mësimet e së kaluarës së saj të konflikteve dhe luftërave.

Ai ka shprehur shqetësimin se Serbia po vazhdon të përkujtojë dhe glorifikojë një periudhë të historisë së saj që disa e konsiderojnë të errët dhe që ka shkaktuar shumë vuajtje për popuj të ndryshëm në rajon.

Po ashtu, ai ka thënë se edhe sulmi terrorist në Banjskë është një betejë e luftërave të papërfunduara të Beogradit zyrtar.

“Serbia e sotme jeton në të shkuarën, sepse konsideron që luftërat e saj nuk kanë përfunduar: as luftërat ballkanike nga fillimshekulli i kaluar, as ajo botërore në mes të shekullit XX dhe as kjo e viteve 1998-1999 në Kosovë. Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator sivjet, është veçse edhe një betejë e atyre luftërave të papërfunduara nga pikëpamja e Beogradit zyrtar”, ka shkruar Kurti.

Gjithashtu, Kurti ka vënë në pah ironinë që përfaqëson fakti që përurimi i shtatores ka ndodhur në një rrugë me emrin “Bregalnicka,” në referencë të një beteje të ndodhur gjatë Luftës së Dytë Ballkanike, ndërsa Maqedonia e Veriut, një vend i përfshirë në këtë konflikt kundër Bullgarisë, është tani një anëtar i NATO-s.