Kurti: Serbia nuk po dëshiron të largohet nga Putini despotik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Serbia është ajo që po i bllokon dhe i vonon takimet. Për takimin me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, që pritej të mbahej me 19 korrik, ka thënë se pritet që të mbahet ndoshta në fund të muajit gusht. Sipas tij, Beogradi po punon kundër marrëveshjeve fqinjësore me Kosovën

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

“Ne nuk kemi mohuar rëndësinë e bisedimeve, por duhet të jenë bisedime parimore në të cilën Kosova duhet të jetë palë e jo temë si në të kaluarën”, kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për dialogun Kosovë-Serbi në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova, është shtet i pavaruar, sovran dhe demokratik me integritet të qartë territorial.

Kurti ka thënë se marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë nuk janë normale, prandaj duhet të ketë normalizim të këtyre marrëdhënieve. Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve duhet të bëhet me dialog që duhet ta ketë qëllimin e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.

Ai për dialogun Kosovë-Serbi ka thënë se ka një koordinim me sekretarin amerikan, Antony Blinken, për të cilin ka thënë se është aleat i Kosovës dhe një mik i shquar.

Takimi Kurti-Vuçiq pritet të mbahet në fund të muajit gusht

Ndërsa, për dështimin e takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që pritej të mbahej me 19 korrik, ka thënë se pritet që të mbahet ndoshta në fund të muajit gusht.

“Unë jam gjithmonë i gatshëm të udhëtoj në Bruksel për takimin e radhës, një takim i tillë ka pasur të mbahet me 19 korrik, mirëpo nuk u mbajt, e kërkoi një shtyerje mbi njëmujore”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës

Sipas tij, Serbia nuk dëshiron të distancohet nga Putini despotik dhe nuk dëshiron që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, e për këtë shkak sipas Kurtit, ata nuk po e formojnë Qeverinë.

“Ne kemi qenë palë kreative, konstruktive dhe e përkushtuar, do të vazhdojmë të jemi të tillë, por Beogradi po punon kundër marrëveshjeve fqinjësore”, ka thënë Kurti.

Marrëveshja për reciprocitetin e targave

Ndërsa, për reciprocitetin e targave, Kurti ka thënë se “Prej të hënës së 1 gushtit të gjithë qytetarët e Kosovës të nacionalitetit serb që kanë automjetet nga koha e Millosheviqit t’i  konvertojnë në targa legjitime të Republikës së Kosovës”.

Sipas Kurtit, nga e hëna, ata që kanë dokumente të lëshuara nga Serbia dhe duan të hyjnë në Kosovë, do të pajisen me dokument të veçantë, e që sipas tij, kjo është masë që merret 11 vjet pas asaj që kishte ndërmarrë Serbia.

Ai për këtë marrëveshje ka thënë se vetë Milloshqeviqi e kishte propozuar që të realizohej, ndërsa tashmë po i pengon zbatimi.

“Ne nuk jemi kundër qytetarëve serbë, por për sundim të ligjit dhe të mirën e përgjitshme”, ka deklaruar Kurti.

Asosacioni i Komunave dhe Manastiri i Deçanit

Ndërsa për Asosacionin e Komunave ka thënë se janë rreth 33 marrëveshje të Brukselit dhe midis tyre nuk ka hierarki për një marrëveshje më të rëndësishme se një tjetër.

Sipas Kurtit, Serbia po mundohet t’i trajtojë si një tryezë suedeze këto marrëveshje sipas interesave shtetërore.

“Ata më shumë dëshirojnë të kompensohen si në stilin e një republike serbe në Bosnjë edhe në Kosovë”, ka theksuar Kurti.

Ndërsa, për Manastirin e Deçanit, ka thënë se Kosova është për ruajtje të trashëgimisë kulturore.

Siç u shpreh kryeministri Kurti, pronësia dhe trashëgimia kulturore nuk janë e njëjta gjë.

 

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika