Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sulmet e Serbisë në fshatin Banjskë të Zveçanit u kryen nga anëtarë të organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Verirore”, të shpallura terroriste nga Qeveria e Kosovës.

Në një tryezë diskutimi të quajtur “Procesi i Berlinit: Arritjet e deritanishme, pritjet nga samiti i ardhshëm dhe përfitimet e mundshme nga Iniciativa e Përbashkët e Tregut Rajonal”, Kurti ka thënë se Serbia nuk e ka plan të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, pasi është duke punuar për plane ushtarake për aneksimin e veriut të Kosovës.

“Më lejoni të përkujtoj se më 29 qershor i kemi shpallur dy organizata terroriste. ‘Mbrojtja civile’ dhe ‘Brigada veriore’ si organizata terroriste që veprojnë në territorin e Kosovës, natyrisht në mënyrë ilegale. Andaj, edhe nëse diçka tregojnë informatat preliminiare, është që shumica e të përfshirëve në këtë sulm terrorist e kriminal që rezultoi me vrasjen e rreshterit policor, heroit të Kosovës Afrim Bunjaku, është se ata ishin pjesëtarë ose të ‘Mbrojtjes civile’ ose të Brigadës Veriore’, ose të të dyjave”, ka thënë mes të tjerash.

Ai e ka komentuar edhe një debat që pritet të zhvillojë Parlamenti Evropian të martën, lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës.

“Unë besoj që diskutimet që do të zhvillohen në vijim, përfshirë edhe ato në forumet e Bashkimit Evropian, më i larti i tyre Parlamenti Evropian, për nga përfshirja qytetare demokratike, është siguria për Kosovën, ndëshkimet për sulmuesit, dhe në të njëjtën kohë, të mos provojmë të vazhdojmë me çfarëdo ideje të status quo-së, që mund ta ketë e nuk besoj që do të duhej ndokush”, ka thënë Kurti.