Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të shtojnë presionin ndaj Serbisë për hapjen dhe deklasifikimin e dokumentacionit që lidhet me krimet e luftës në Kosovë.
Gjatë vizitës në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut, ku po zhvillohen gërmime në një lokacion të dyshuar për varrezë masive, Kurti tha se, në vend që Beogradi të hapë arkivat, po arreston persona të cilët vite më parë kishin dëshmuar për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Ai theksoi se në Serbi po arrestohen qytetarë me akuza për spiunazh, vetëm pse para më shumë se dy dekadash kishin informuar UNMIK-un dhe organizata të tjera ndërkombëtare për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.
Kurti përmendi edhe dosjen e Brigadës së 38-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, duke theksuar se ajo lidhet me masakrat e kryera në Kosovë, veçanërisht në rajonin e Drenicës.
Dosja e Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer masakra në Kosovë, posaçërisht në Drenicë, është klasifikuar në vitin 2014 për tri dekada. Sipas Beogradit, ajo nuk mund të hapet deri në vitin 2044. Ne nuk mund të presim edhe 18 vjet që të zbardhet e vërteta”, deklaroi ai.
“I bëjmë thirrje edhe një herë ndërkombëtarëve, SHBA-së dhe BE-së, që këto dokumentacione të klasifikuara të deklasifikohen, të zbardhet e vërteta, në mënyrë që familjeve të mbi 1.500 personave të pagjetur t’u jepet fund ankthit dhe dhimbjes dhe të kenë mundësi t’i varrosin me dinjitet më të dashurit e tyre”, ka deklaruar Kurti.