Kurti s’flet sërish për krizën, nesër përpjekja e 19-të për konstituimin e Kuvendit
Si rrallë herë së fundmi, kryeministri në detyrë Albin Kurti është ndalur të martën para gazetarëve. Edhe gjatë një aktiviteti në Podujevë, Kurti u përballë me pyetjet e gazetarëve lidhur me krizën politike. “Pas takimit me presidenten ju nuk jeni parë duke dalë te mediat por është thënë që ju keni deklaruar që nuk ka […]
Si rrallë herë së fundmi, kryeministri në detyrë Albin Kurti është ndalur të martën para gazetarëve.
Edhe gjatë një aktiviteti në Podujevë, Kurti u përballë me pyetjet e gazetarëve lidhur me krizën politike.
“Pas takimit me presidenten ju nuk jeni parë duke dalë te mediat por është thënë që ju keni deklaruar që nuk ka urgjencë. A konsideroni që nuk ka urgjencë në formimin e institucioneve dhe pse?”, u pyet Kurti nga gazetarët.
Por, sërish, këtë dhe pyetje të tjera rreth krizës me konstituimin e Kuvendit, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje zgjodhi t’i injorojë, duke folur vetëm për projektin që e dërgoi në Podujevë.
“… Prej 33 komunave vetëm 13 kanë aplikuar për banim të përballueshëm dhe social, është për të të ardhur keq… E për ato çështjet e tjera të bllokimeve janë në Prishtinë, ne jemi për ndërtim këtu. Faleminderit!”, ka thënë Kurti.
Konstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit ka ngecur në zgjedhjen e kryeparlamentarit qe 18 seanca rresht.
Lëvizja Vetëvendosje e cila nuk i ka shumicën e votave, vazhdon të insistoj në mundësimin e votimit të fshehtë, kurse kandidatja e vetme e propozuar deri më tani nga kjo parti është Albulena Haxhiu.
Si kërkesa për votimin e fshehtë, ashtu edhe kandidatura e Haxhiut janë të papranueshme për partitë tjera.
E, përgjegjës për bllokimin e procesit, profesori Gëzim Qerimi e sheh në përgjithësi gjithë skenën politike, por më shumë përgjegjësi sipas tij ka LVV-ja si fituese e zgjedhjeve.
“Mendoj që do të duhej Albin Kurti duhet t’i trajtojë seriozisht dy ofertat, ofertën e liderit të opozitës Lumir Abdixhiku për një qeveri qoftë teknike, qoftë kalimtare, ose opsionin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që e votojnë Saranda Bogujevcin ose Shqipe Selimin për kryetare të Kuvendit”, ka thënë Qerimi.
Përpjekja e 19-të për konstituimin e Kuvendit do të bëhet të mërkurën nga ora 11:00.















